NBA këmbëngul që sezoni i ri 2020-2021 të nisë më 22 dhjetor edhe pse kjo datë nuk pranohet nga lojtarët. Shoqata e basketbollistëve profesionistë kërkon që sezoni të nisë më 18 janar, por për organizatorët e NBA kjo vonesë prej një muaji ka një kosto tepër të lartë.
Sipas mediave amerikane, shtyrja e nisjes së kampionatit në janar do të sjellë një humbje prej 1 miliard dollarësh. Për këtë arsye, komisioneri Adam Silver këmbëngul që kampionati të nisë para Krishtlindjeve. Ai ka vendosur një datë limit, 6 nëntorin, për të zyrtarizuar nisjen e sezonit të ri.
NBA kërkon që sezoni i ri të përfundojë në mes të korrikut të ardhshëm, në mënyrë që lojtarët më të mirë të luajnë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, event që nis më 23 korrik. Ndërkohë, NBA ka vendosur që duke nisur nga dita e sotme të hapë palestrat e skuadrave, por me kusht që të stërviten 10 lojtarë maksimumi.
Basketbollistët dhe stafi do të testohen vazhdimisht prej pandemisë Covid-19 dhe vetëm ata që dalin negativë do të lejohen të stërviten. NBA ishte kompeticioni që kompensoi më shumë nga humbjet për shkak të ndërprerjes nga pandemia, si dhe gjatë 100 ditëve të fundit nuk pati asnjë lojtar të infektuar, duke u mbyllur me sukses në fillimin e tetorit me shpalljen kampion të Los Angeles Lakers.