MENU
klinika

Ja kur

OBSH jep alarmin: Prisni valën e tretë të Covid-19!

23.11.2020 - 11:33

I dërguari special i OBSH-së për COVID-19 kritikoi reagimin e Evropës ndaj pandemisë së koronavirusit duke thënë se vendet nuk arritën të përfitonin nga qetësimi i rasteve në verë për t’u përgatitur për valën tjetër. 

I dërguari special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për COVID-19, David Nabarro tha për “Solothurner Zeitung” në Zvicër se Evropa ka të ngjarë të shohë një valë të tretë të pandemisë vdekjeprurëse COVID-19 në fillimin e vitit 2021 përpara se të mbërrijë vaksina.

“Ata e humbën ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme gjatë muajve të verës pasi vunë valën e parë nën kontroll”, tha Nabarro. “Tani jemi në valën e dytë. Nëse ata nuk ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme, ne do të kemi një valë të tretë në fillim të vitit të ardhshëm.”

Eksperti theksoi gjithashtu se Evropa mund të mësonte shumë nga vendet aziatike.

“Reagimi ndaj virusit duhet të jetë me forcë dhe vendosmëri,” tha ai. “Sidomos në fillim, kur virusi po përhapet shumë ngadalë në komunitete të ndryshme. Nëse reagoni pa shumë përpjekje, problemi do të agravohet shpejt.”

Për pak kohë, kontinenti i vjetër shijoi uljen e numrit të infektimeve gjatë verës, por tani infeksionet po rriten përsëri. Gjermania, me një popullsi prej 84 milionë banorësh, pati një ditë më parë rritje të rasteve me 14.000, në një kohë kur të shtunën, Japonia me 120 milionë banorë regjistroi vetëm 2.600 raste të reja. Në të njëjtën ditë, Koreja e Jugut me rreth 51 milionë banorë shënoi vetëm 386 raste. Një problem i madh, sipas Nabarros, është se shumë pak vendimmarrës politikë e kanë kuptuar që virusi po përhapet në mënyrë eksponenciale më tepër se aritmetike.

“Eksponenciale do të thotë se numrat mund të rriten 8 herë në javë, 40 herë në dy javë, 300 herë në tri javë, mbi 1000 herë në katër javë, e kështu me radhë,” tha ai.

Në Azi, ndërkohë, numrat janë relativisht të ulët sepse “njerëzit janë plotësisht të angazhuar, ata përshtasin sjellje që e bëjnë të vështirë për virusin”, tha Nabarro.

“Mbajnë distancën e tyre, mbajnë maska, izolohen kur janë të sëmurë, lajnë duart dhe sipërfaqet. Ata mbrojnë grupet më të rrezikuara.”

Nabarro gjithashtu tha, se Azia nuk i hoqi kufizimet para kohe.

“Ju duhet të prisni derisa numrat e rasteve të jenë të ulëta dhe të qëndrojnë të ulëta,” tha ai. “Reagimi i Evropës ishte i paplotë.”

Ai gjithashtu vlerësoi komunikimin midis autoriteteve në Azi dhe Evropë.

“Ata thjesht kanë një mesazh: Nëse duam që ekonomia jonë të jetë e fortë dhe që ne të mbajmë liritë tona, të gjithë duhet t’i përmbahemi disa gjërave themelore.”