Pas akordit që sezoni i ri i NBA-së do të nisë më 22 dhjetor, një tjetër marrëveshje e rëndësishme është arritur në këtë kompeticion që i kalon kufijtë e Amerikës. Ky start do t’u kushtojë jo pak xhepit të basketbollistëve.
Duke parë situatën e vështirë financiare të klubeve, krijuar nga pandemia Covid-19 dhe faktin se ndeshjet luhen pa tifozë, është arritur një marrëveshje. Basketbollistët do të ulin me 18% rrogat e tyre për dy vitet në vijim.
Kjo shumë që do të grumbullohet nga ulja e rrogave do t’u shpërndahet klubeve si një “fond ndihme”, për të bërë të mundur minimizimin e humbjeve. Kjo shifër pritet të jetë rreth 800 milionë dollarë.
Për disa nga yjet e NBA-së, që kanë rroga marramendëse, shifra 18% është vërtet e lartë. Kështu, LeBron James, që paguhet 39.2 milionë dollarë në sezon, tani do të paguhet 7 milionë dollarë më pak (32.2 mln dollarë).