5 ditë pas tërmetit shkatërrimtar që preku Izmirin dhe një ishull në Greqi, ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit në Izmir. Kryetari i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Mehmet Güllüoğlu, njoftoi përmes një postimi në Twitter se kanë përfunduar punimet, duke falenderuar ekipet për punën e jashtëzakonshme.
“Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar punimet. Falënderojmë secilin punonjës, vullnetar që ka kontribuar. Mirënjohjet tona më të përzemërta. Ndërsa vazhdojmë të punojmë intensivisht në lidhje me çështjet tjera”, shkroi Güllüoğlu nga Twitter.
Sipas AFAD deri më tani kanë humbur jetën 114 persona, janë plagosur 1.035, prej të cilëve 137 trajtohen në spital, ndërsa pjesa tjetër janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet e marra.