MENU
klinika

Superliga e Kosovës, Java 10

Përmbys Drita, Prishtina mposhtet përsëri

01.11.2020 - 16:14

Kampionia e Kosovës, Drita, ka përmbysur shifrat në transfertë ndaj Llapit 2-1, ndërkohë Drenica e ka tronditur Prishtinën duke e mundur 1-0 në dy ndeshjet e fundit të javës së 10-të të Superligës të zhvilluara të dielën në mesditë.

Kampiones së Kosovës iu desh të luftonte për ta përmbysur rezultatin, pasi po humbiste kur Valmir Veliu e kaloi Llapin në epërsi herët në ndeshje. Almir Ajzeraj e barazoi rezultatin në minutën e 57-të, para se Ahmed Januzi të shënonte autogol 20 minuta para fundit,

Skuadra e Ardian Nuhiut e kontrolloi ndeshjen për shumicën e kohës, veçanërisht derisa e siguroi epërsinë. Llapi bëri një lojë shumë të mirë dhe krijoi shumë, por nuk i mjaftoi ta shmangë humbjen e gjashtë në nëntë ndeshje këtë sezon. Drita mban vendin e dytë me 19 pikë, 6 më pak se kryesuesi Ballkani, por Drita ka 2 ndeshje më pak.

Edhe më befasuese ishte fitorja e Drenicës 1-0 kundër Prishtinës në Skënderaj. Egzon Fazliu e realizoi golin e tri pikëve të mëdha për Drenicën në minutën e 60-të. Ai erdhi nga stoli në fillim të pjesës së dytë për t’u shndërruar në hero për skuadrën e Drenicës.

Prishtina i kishte mundësitë e veta, sidomos në pjesën e parë, përmes Otto John dhe Shillovës, por nuk ia doli ta mposhtë Ymerin asnjëherë. Drenica e kalon Prishtinën (3 humbje radhazi) në renditje dhe tani ka 14 pikë, tri më shumë se kryeqytetasit.