Udhëheqësit e fortë shkëlqejnë në periudhë krizash. Për udhëheqësit autoritarë pandemia e shkaktuar nga Covid-19 ofroi mundësi për të marre nën kontroll më tepër dhe për të fituar popullaritet, edhe pse shpeshherë mund të bëhen antipatikë me masat e tyre. Një shembull fare i qartë është ai i kancelares gjermane Angela Merkel.
Në vitin 2015 ishte ajo që hapi dyert e Europës për sirianët, veprim që i uli reputacionin jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Europën. Sot në 2020, gjatë pandemisë së Covid-19, në këto muaj të krizës më të madhe të 100 viteve të fundit, është ajo që po vë mënjanë të gjitha aspektet politike dhe po merr vendimet më të domosdoshme për ekonominë. Nëpërmjet këtyre ajo ka marrë rolin e lideres së Europes, gjë për të cilën Europa vërtet kishte nevojë. Por kjo nuk do të thotë që në Europë pandemia kaloi.
Pas muajve të verës me diell dhe ngrohtësi, ku situata po dukej si më e qetë, një valë e re infektimi ka krijuar ndjenjën sikur kriza ekonomike e Covid- 19 po na fut në një rrugë pa dalje. Lexojmë, dëgjojmë apo shikojmë përditë për nivelin e lartë të borxheve, për përqindje negative të interesave bankare, për premtime që nuk po mbahen nga qeveritë, papunësia në rritje, tensione të vazhdueshme deri në përplasje fizike, rënia e fuqisë konsumatore, humbje e besimit dhe demoralizim global.
Në rast se do të pyesnim zonjën Christine Legarde “se si do vazhdojmë më tutje ?”, ajo me siguri që do të ulte sytë poshtë për të anashkaluar situatën. Por shpresoj që për asnjë çast të mos harrojë që një cikël ekonomik njeh periudhën e zhvillimit dhe atë të tkurrjes, etapa që zëvendësojnë njëra tjetrën.
Kriza e sotme ekonomike nuk është një krizë e zakonshme, normale, ndaj dhe modelet e sotme ekzistuese ekonomike nuk janë në gjendje ta përballojnë këtë krizë. Qeveritë duken të shqetësuara dhe bëjnë sikur janë duke zgjidhur një problem të madh, por në fakt luajnë vetëm teatër. Ato nuk po orientohen dot në këtë pështjellim krize. Nga ana tjetër populli nuk mendon sot për zgjidhjen e problemeve të mëdha, por vetëm për zgjidhjen e atyre të voglave, atyre ditore. Është fare e qartë se kush do e paguajë faturën e Covid-19….
Po ta shikojmë me pak vëmendje këtë situatë do e kuptojmë fare qartë se Covid-19 i nxori të gjitha qeveritë lakuriq dhe po tregon si në një skaner se ku ndodhen problematikat e çdo vendi. Si qënie njerëzore ne e kemi të vështirë të parashikojmë e planifikojmë, por ajo që ne mund të bëjmë është që të reagojmë kur diçka ndodh. Ky është dhe ndryshimi thelbësor mes ekonomive të vendeve të zhvilluara dhe atyre të prapambetura. Duke e ndjekur nga afër evolucionin e kësaj krize ekonomike Botërore të Covid -19 dalim në konkluzionin se qeveritë që e kanë nën kontroll shërbimin shëndetësor kanë dhe rezultate më pozitive ekonomike në vendet e tyre.
Ekonomia
Duke parë bursat botërore sot të duket sikur çdo gjë shkon mirë, por kjo nuk është gjë tjetër veçse, fasadë. Bursat nuk pasqyrojnë situatën e bareve, restoranteve, ndërtimit, bizneseve të vogla apo të mesme. Ato pasqyrojnë vetëm kompani të tilla si “Alibaba”, “Amazone”, “Apple”, “Facebook”, “Microsoft” etj, kompani të cilat në këtë periudhë vërtet po lulëzojnë. Nuk duhet harruar që kjo është vetëm një pjesë e ekonomisë.
Realiteti është që si rezultat i pandemisë po humbin shumë vende pune, megjithëse në shumë shtete të zhvilluara po promovohet puna nga shtëpia. Si rezultat shikon rrugë dhe zyra boshe, një qetësi të trishtë, por nga ana tjetër puna është bërë edhe më efektive pasi njerëzit nuk humbasin më kohë në trafik dhe kanë shpenzime më të ulëta. Vendet e punës po humbin edhe nga “robotizimi” gjë që sjell me vete edhe komandimin tyre në distancë. E-comerce po lulëzon. Jeta po riformatohet.
Globalizimi
Çfarë do të ndodhë me globalizimin ? Unë nuk e vë në dyshim që edhe pas pandemisë globalizimi do të vazhdojë të funksionojë pasi është i lidhur me transportin, teknologjinë, komunikimin, por mënyrat e funksionimit do të jenë ndryshe. Kur punohet online nuk ka rëndësi se ku do të jetë vendi i punës, apo në cilin cep te globit, pasi talentet e IT-së gjenden kudo. Nga ana tjetër kombinimi Covid-19 me problemet klimaterike do të sjellë disa ndryshime thelbësore si kalimi më i shpejtë në 5G (Kinezet po planifikojnë 6G-në) apo në format e reja të prodhimit te energjisë elektrike të cilat me vete do të sjellin deglobalizimin.
Kjo mesa duket do të jetë dhe “lufta e re e ftohtë” në të cilën jemi futur sot, që nuk ka udhërrëfyes dhe do të vazhdojë për të paktën një 10 vjeçar. Sot pothuajse nga çdo anë dëgjojmë që fajtor për këtë situatë është Kina, por harrojmë diçka thelbësore: ishte vetë Europa dhe Amerika ata që zgjodhën që në 30 vjeçarin e fundit të jetojnë me produktet e vendeve aziatike, për arsyet nga më të ndryshmet, ndërkohë që ata vete u morën vetëm me printimin e parave, euro dhe dollarë.
Ligji bazë i ekonomisë e ka vërtetuar qartë ndër vite se në radhë të parë duhet të prodhosh para se të konsumosh. Deficitet tregtare që kanë lindur si rezultat i kësaj disbalance në fund të fundit do të të shkatërrojnë dhe monedhat nuk do të kenë më vlerë. Donald Trump, si biznesmen race, e ka kuptuar këtë dhe ndaj në mënyrën e tij përpiqet që nëpërmjet sanksioneve të ndryshme të krijojë balanca të reja për të mbrojtur Amerikën. Europa nga ana tjetër si një “old lady” nuk është zgjuar akoma.
“Normaliteti i Ri”
Ajo çfarë nuk arrijmë dot të kuptojmë është se si ka mundësi që Bankat Qëndrore të bëjnë historikisht gjithnjë të njëjtin gabim dhe çuditërisht kërkojnë që rezultatet të jenë të ndryshme. Gjë që nuk ka gjasa të ndodhë. Printojnë para pafund dhe ulin normat e interesit. Me këtë nuk realizojnë gjë tjetër veçse krijojnë një flluskë të re apo zmadhojnë atë të vjetrën. Me një mënyre të tillë pune ekziston frika se ekonomia Globale nuk do të jetë në gjendje ta përballojë për një kohë të gjatë këtë situatë. Tensionet e ndryshme që kanë lindur nuk janë rastësi.
Si zakonisht në periudhë krizash të gjithë janë të tensionuar dhe me të gjitha mënyrat përpiqen dhe janë të gatshëm të bëjnë diçka. Studime dhe ide nga më fantastiket lindin dhe në fund të fundit asgjë nuk realizohet.
Qeveritë i kanë agjendat shumë të ngarkuara dhe nuk e kanë vëmendjen dhe kohën për çështjet afatgjata siç janë shërbimi shëndetësor dhe shkollimi. Në këto momente ekonomistët janë ndarë në dy grupime kryesore.
Një grup mendon se është momenti për të bërë shkurtime drastike dhe për të riformatuar biznesin dhe në këtë mënyrë krijimin e një perspektive të re. Ata mendojnë se kriza do të zgjasë dhe se mënyra e jetesës dhe të bërit biznes po ndryshon, prandaj dhe duhet reaguar sa më shpejt. Ndërsa grupimi tjetër mendon se duhet të bëhet ndërhyrje vetëm pasi situata të stabilizohet. Sipas tyre në rast se ndërhyhet tani do të shkaktohet një efekt i dyfishtë negativ dhe do të jetë shumë i dhembshëm. Ky operacion , do të krijojë një humbje ekuilibri dhe probleme të reja social-ekonomike do të lindin.
Nëse do të analizojmë gjithçka thamë, do të ketë shumë opsione për një rrugëzgjidhje afatgjatë përveç momentit kur shteti do të ndërhyjë dhe të ribëhet pronar apo bashkëpronar i kompanive apo pronave, rritjes së veprimtarive lokale të prodhimit dhe lejimin e një inflacioni më të madh në mënyre që të shkrihen detyrimet.
Le të shpresojmë që kur të bjerë furtuna e Covid-19, qeveritë do të bëjnë një analizë të thellë dhe me siguri që do të lindin politika të reja fiskale ku baza do të jetë shërbimi shëndetësor dhe shkollimi. Do të ishte vërtet një impuls dhe një garanci shumë e madhe për ekonominë nëse realizohej siguracioni shëndetësor i çdo individi duke kaluar për këtë qëllim 10 % të të ardhurave personale nga njëra anë dhe shkollimi bazë falas dhe i detyrueshëm.
*Autori është Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare