MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Pse Kosova nuk është më e mirë pa Hashim Thaçin?

05.11.2020 - 16:21

Ndonëse fjalori i përgjithshëm, politikisht korrekt, po uron që Hashim Thaçi të dalë i pafajshëm në Hagë, ndonëse të gjithë njëzëri përbetohen për pastërtinë e luftës çlirimtare të UÇK-së, shumëkush sot është ndjerë i gëzuar që Gjykata Speciale u bë shkas, për daljen e presidentit të vendit nga dera e pasme e politikës.

Hashim Thaçi nuk i ka pasur të paktë armiqtë dhe kundërshtarët. Një pjesë e tyre kanë një ndjenjë lehtësimi për këtë fund të palavdishëm.

Disa janë të kënaqur se pas kësaj, këmbët e “Gjarprit” do të priten, se shteti okult i ngritur ndër vite do të shkërmoqet, se “klani pronto,” që ka mbajtur peng institucionet dhe ekonominë e vendit nuk do t’i ketë ditët të gjata. Disa i gëzohen faktit se kapja e shtetit do të marrë fund, se PDK-ja, partia kryesore e dalë nga lufta, që prej 13 vitesh nuk i ndahet atij. Pa Hashimin dhe pa Kadriun do të katandiset aq keq sa nuk do të mund ti bëjë më dëm Kosovës.

Disa ngushëllohen me faktin se manovrat makiavelike për të kundërvënë njëherë Ramushin kundër Isës dhe herën tjetër të dy bashkë kundër Albinit, nuk do të jenë mënyrat e vetme se si do të bëhet politikë këtej e tutje. Disa ndihen të shpaguar se Presidenti që këmbënguli për të ngritur Gjykatën Speciale për t’i bërë varrin shokëve, ra edhe vetë aty brenda.

Disa marrin frymë lehtësisht se kufijtë e Kosovës dhe territoret e saj nuk do të jenë më monedhë shkëmbimi për fatin politik të një njeriu të vetëm ose të bandës që qarkon përreth tij. Disa kanë shpresë se lidhje okulte nga ato me tipa të neveritshëm dhe arrogëntë si kaubojsi harbut Grenell, nuk do të jenë më në gjendje të përmbysin vullnetin e zgjedhësve të një vendi.

Në mënyrën e tyre, të gjithë ata që gëzohen në fshehtësi për faktin se akuzat penale të Speciales u bënë leva e shpëtimit për të mbyllur epokën e sundimit të partisë më jetëgjatë të pasluftës në skenën kosovare, kanë në një farë mënyre të drejtë. PDK-ja e drejtuar nga Thaçi është një përzierje e të gjitha atyre që u thanë më lart. Por ama, ikja e Hashimit nga presidenca drejt Hagës nuk është një larje përfundimtare e hesapeve me Thaçizmin.

Le të marrim një një shembull të kohëve të fundit. Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke votuar në mënyrë të qartë pro opozitës, elektorati kosovar dha sinjalin më të pastër se donte të ndahej nga kjo lloj mënyre qeverisjeje. Ata votuan masivisht Vetëvendosjen, që ka pasur qëndrime të prera kundër shtetit të kapur nga Thaçi dhe PDK-ja dhe njëkohësisht LDK-në që për oportunizëm politik vendosi në krye Vjosa Osmanin, për të hyrë në sintoni me plagën e kohës.

Por kjo qeverisje i pati ditët tejet të shkurtra sepse kundër saj u reshtuan menjëherë politikanë të të gjitha ngjyrave që janë në mënyra të ndryshme modele bastarde të Thaçizmit. Edhe Isa Mustafa edhe Agim Veliu edhe Avdullah Hoti edhe Ramush e Daut Haredinaj u bënë të gjithë bashkë. Bashkë me ta, me politikën e kulisave që i kundërvihet votës popullore, me kompromiset e ndyra që shërbejnë për qëndrimin me çdo kusht në pushtet, u njësuan edhe shumë figura me emër të shoqërisë civile apo analistë dhe gazetarë të njohur.

Ata, së toku ishin dëshmia më e mirë se me ujin e ndotur të Thaçizmit ishin spërkatur nga pak të gjithë.

Prandaj, zgjidhja e sotme me “deux ex machina” për ta nxjerrë Hashim Thaçin dhe grupin e tij nga politika përmes Gjykatës Speciale, nuk ishte më e mira e mundshme.

Ajo nuk ka pse çon në ekstazë kundërshtarët e hershëm që janë lutur në fshehtësi që kjo ditë të vinte. Sepse në thelb ajo ka ndëshkuar njeriun dhe jo modelin.

Që të shpresohet se një ditë, ndarja me shtetin klanor, me institucionet e kapura, me politikën e kulisave, me diplomatët e dealeve personale, pra se të gjitha këto sëbashku do të bëhen realitet, duhet tjetër gjë. Duhet të ndëshkohet jo personi, por fryma që ai përfaqëson. Kjo nuk bëhet përmes gjykatave, qoftë edhe ndërkombëtare, por vetëm përmes zgjedhjeve.

Për fat të keq, Kosova nuk arriti që në 13 vite të përdorte këtë rrugë për të mbyllur llogaritë me Hashim Thaçin. Prandaj sot nuk ka vend për ata që gëzohen nga prangat e mundshme në duart e tij. Ato s’garantojnë aspak një vend më të mirë, ndërkohë që nuk shmangin dot atë që sot do të dukej e pamundur, rikthimin e Hashim Thaçit si triumfator nga Haga në skenën politike

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendimi i papritur i Thaçit

Jep dorëheqjen Presidenti i Kosovës!