Bollëk golash në natën e sotme të Champions League. Real Madrid mposhti 3-2 Inter, ndërsa Bayern Munchen tregon edhe njëherë forcën, duke fituar në transfertë 6-2. Po ashtu, Liverpool shënoi 5 gola në Bergamo.
GRUPI A – Bayern Munchen ka thelluar rekordin në Champions League, duke e cuar në 14 numrin e fitoreve radhazi pas suksesit sonte 6-2 në fushën e Salzburg. Një fitore që erdhi me përmbysje dhe jo aq e lehtë. Së pari, kaloi në avantazh shqiptari Mërgim Berisha në minutën e katërt për vendasit.
Në 21’, Muller përfiton penallti dhe Lewandowski nuk fal. Në 44’, Salzburg shënon në portën e vet. Por vendasit barazojnë në 66’. Bayern nuk dorëzohet dhe në 79’ Boateng realizon me kokë. Katër minuta më pas Sane shënon golin e katërt, Lewa shënon të pestin në limite me kokë, vulos 2-6 Hernandez në 92’.
GRUPI B – Real Madrid siglon fitoren e parë në grup, duke mposhtur 3-2 Interin në Bernabeu. Benzema përfitoi në 25’ pas një kthimi të gabuar të topit nga zikaltrit dhe shënoi pas shmangu edhe portierin. Ndërsa në 33’, Ramos dyfishoi shifrat me kokë, pas një goditje nga këndi.
Gjithsesi, Inter hyn në lojë me golin e realizuar dy minuta më vonë nga Martinez. Pasim perfekt i Barrella-s dhe argjentinasi nuk fal. Zikaltrit barazojnë me Perisic në 68’. Inter humb dy raste të mira më pas. Po nuk shënove, e pëson, Rodrygo në 80’ vulos në 3-2.
GRUPI C – Manchester City merr fitoren e tretë në grup dhe kualifikimi thuajse vuloset. Sitizenz fituan 3-0 në shtëpi ndaj Olympiacos. Pjesa e parë 1-0 me golin e shënuar nga Torres në 12’. Ndërsa në të dytën shënuan edhe Jesus dhe Cancelo.
Në këtë grup Porto kaloi bindshëm po 3-0 Marseille, duke mbajtur vendin e dytë. Vendasit portugezë shënuan dy herë në pjesën e parë dhe njëherë në të dytën. Francezët humbën një penallti kur rezultati ishte 1-0.
GRUPI D – Liverpool i ka dhënë një “shuplakë” Atalanta-s në Bergamo, duke fituar 5-0. Tri herë Diogo Jota, Salah dhe Mane dhuruan spektakël, duke lëshuar me këmbë në tokë ekipin zikaltër italian.
Ajax, edhe pse me 11 pozitivë nga Covid-19, fiton 2-1 në fushën e danezëve të Midtjylland. Një sukses mjaft i rëndësishëm i kampionëve të Holandës, që futen në lojë për vendin e dytë.