MENU
klinika

Serie A, Java 6

Roma nuk fal në shtëpi, Sassuolo surprizon Napolin

01.11.2020 - 19:59

Roma ka vijuar me ecurinë e mirë, duke mos pësuar humbje prej 6 ndeshjeve radhazi. Verdhekuqtë fituan 2-0 në shtëpi me Fiorentinën. Ndërsa Napoli bie pas dy fitoreve në “San Paolo”. Është Sassuolo që fiton 0-2.

Roma ka gjetur avantazhin në 12’, teksa ka kryer gjithçka vetë mbrojtësi i krahut të majtë Leonardo Spinazzola, me një ikje në fushë të hapur. Pasi ka dribluar edhe mbrojtësin, e ka pasur të lehtë ta shtyjë në rrjetë. Kaq për pjesën e parë.

Në të dytën, goli i sigurisë ka ardhur në minutën e 70’ nga Pedro. Spanjolli është shërbyer mirë nga Mkhitaryan dhe ish-mesfushori i Barcelonës nuk ka falur për 2-0. Roma ka patur edhe raste të tjera. Kumbulla ishte në stol,  Fonseca i besoi në 90′, 5 minuta në fushë mbrojtësi shqiptar.

Ndërsa Ndeshja mes Napolit dhe Sassuolos është zhbllokuar falë një episodi: penallti, e caktuar përmes VAR, në favor të mysafirëve, të cilët realizojnë falë ftohtësisë së Manuel Locatelli.

Caktimi i dënimit maksimal është shumë i veçantë: gjyqtari Mariani në fakt kujtohet në vizionin e një episodi që ndodhi në zonë të paktën një minutë pas. Një kontakt midis Raspadori dhe Di Lorenzo, me mbrojtësin i cili prek qartë sulmuesin në këmbë: një penallti shumë e qartë dhe transformimi perfekt i ish-futbollistit të Milanit.

Ky ishte thuajse episodi që vendosi ndeshjen, teksa në fund miqtë shënojnë edhe një gol të dytë, me Napolin që bie pas 2 fitoreve radhazi dhe humb shansin për t’u afruar me kreun, ndërsa Sassuolo ngjitet vetë e dytë. Elseid Hysaj e nisi titullar dhe u zëvendësua në 71’.