Foto e saj bën xhiron e mediave ndërkombëtare. Bëhet fjalë për Elif Perinçek, 3-vjeçarja e cila u nxor nga rrënojat e gjallë pas 65 orësh, pasi tërmeti në Turqi i shembi banesën. Mësohet se Elifi është transferuar në spital për shkak të plagëve që kishte marrë.
Ndërkohë mediat turke kanë zbuluar dhe se si arriti vogëlushja që të shpëtonte për kaq shumë orë poshtë rrënojave, ndërsa shkruajnë se bëhet fjalë për një karrige, e cila ishte në kuzhinë dhe kishte shërbyer për ta mbrojtur atë nga inertet. “Ajo ndodhet në kujdesin intensiv sepse ishte e palëvizshme dhe e ngujuar nën mbeturina për një kohë të gjatë,”- tha ministri i Shëndetësisë turke.
Aktualisht Elifi është shtruar në njësinë e kujdesit intensiv ku ajo trajtohet në spitalin e Universitetit Ege. Ka qenë universiteti Ege që ka ndarë pamjet nga shtrati i Elifit dhe ka njoftuar se trajtimi i vogëlushes vazhdon me kujdes. Vogëlushja Elif vërehet se i ka sytë e hapura dhe se në shtratin e saj, ku merr dhe trajtim me oksigjen, gjithashtu ka edhe lodra.
Kujtojmë se nën rrënoja mbeti dhe nëna Seher Dereli Perinçek, bashkë me 3 djemtë e saj, ndërsa ata u nxorrën një ditë pas tërmetit. Njëri nga fëmijët, djali Umut Perinçek humbi jetën, ndërkohë që vijonte kërkimi për Elifin, e cila sot doli trimfatore nga rrënojat. Siç u pa dhe në videot që u përcollën live, kur Elifi u nxor nga rrënojat e tërmetit, vogëlushja mbante të kapur gishtin e njërit prej punonjësve të kërkim-shpëtimit.