MENU
klinika

Champions League

United bie në Turqi, Lazio merr 1 pikë në Rusi

04.11.2020 - 20:59

Manchester United është mposhtur pas dy fitoreve në Champions League. Djajtë e Kuq humbën në Turqi, teksa Basaksehir mbroi me fanatizëm fitoren 2-1. Ndërsa Lazio mori një pikë me vlerë në barazimin 1-1 me Zenit në Rusi.

Ndeshja në Turqi është zhbllokuar pas vetëm 13 minutash lojë. Ishin turqit ata që kanë kaluar në avantazh me ish-yllin e Chelsea-t, Demba Ba. Por “merita” e vërtetë i takon mbrojtjes së anglezëve. Djajtë e Kuq pësuan edhe golin e dytë pas një gafe në mesfushë dhe një pozicionimi tjetër të keq në mbrojtje në 40’.

Visca nuk ka falur dhe dyfishuar për vendasit. Reagimi i anglezëve ka ardhur tri minuta më pas me një gol me kokë të Martial. Pjesa e parë është mbyllur 2-1 për Basaksehir, që përfitoi më shumë nga gabimet e anglezëve.

Vendasit kanë mbrojtur me fanatizëm fitoren, duke hyrë në lojë për vendin e dytë, ose minimalisht për vendin e tretë, që do ta kalonte në Europa League. Ishte fitorja e parë në grup për Basaksehir.

Në ndeshjen tjetër, rusët kanë gjetur golin me Erokhin pas një aksioni spektakolar ajror, duke parë se topi nuk ka prekur asnjëherë në tokë. Reina, që zëvendëson Strakoshën, nuk mund të bënte dot asgjë.

Lazio barazoi në 82’. Goli është shënuar nga Caicedo, i cili ka finalizuar në mënyrën e duhur një aksion të bukur të ekipit. 32-vjeçari ka marrë vendin e Muriqit në minutën e 59-të. Në limit Zenit shënoi, por goli u anulua për jashtë loje nga VAR.