Myrto Uzuni la shenjë në Torino me golin shënuar ndaj Juventusit. Mëkat që goli i tij nuk vleu një pikë, çka do të ishte historike për ekipin e Ferencvaros. Megjithatë, sulmuesi shqiptar mori gjithë vëmendjen e botës.
Gjithashtu, ai mori me vete si dhuratë të çmuar fanellën, buzëqeshjen dhe përgëzimet e Ronaldos. Natë e paharrueshme për futbollistin tonë të kombëtares. Përgëzime pa fund për beratasin, që doli nga fushat me baltë dhe tani po luan në Champions, fazën e grupeve, ndaj Juventusit dhe Barcelonës.
Nëse nuk do të ishte për atë gafë të portierit të Ferencvaros në kohën shtesë, Uzuni do ta kishte shijuar më shumë golin kundër Juventusit. Ai ka dalë i mërzitur nga fusha dhe në ato pak fjalë që tha për zyrën për shtyp të UEFA-s, nuk e fshehu hidhërimin e asaj përmbysjeje në sekondat e fundit.
“Jam i mërzitur, ne dhamë gjithçka në futboll dhe bëmë më të mirën tonë, por në fund nuk ia dolëm. Më vjen vërtet keq, por ky është futbolli. Nuk kemi çfarë të bëjmë” – deklaroi Uzuni.
Ndërkaq, në Hungari nisën menjëherë t’i bënin jehonë golit të Uzunit, jo vetëm sepse bëhet fjalë se i shënoi një prej skuadrave më të forta në botë, por sepse asnjë lojtar apo skuadër hungareze nuk kishte shënuar më parë në stadiumin e “Zonjës së Vjetër”.