MENU
klinika

VOA

Vaksina e Oksfordit, e përshtatshme për shpërndarje të shpejtë në të gjithë globin

24.11.2020 - 17:29

Një vaksinë për Covid-19 e prodhuar nga Universiteti britanik i Oksfordit dhe firma farmaceutike AstraZeneca ka treguar rezultate të mira në provat e hershme klinike. Siç e shpjegon korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, vaksina është e përshtatshme për shpërndarje të shpejtë në të gjithë globin.

Analizat paraprake të provave me 20 mijë vullnetarë në Britani dhe Brazil tregojnë se vaksina e koronavirusit e Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca është të paktën 70 për qind efektive pas marrjes së dy dozave. Vullnetarët u injektuan me doza të ndryshme, dhe tek ata që morën gjysmë dozë fillimisht, të pasuar nga një dozë e plotë,efektshmëria e vaksinës u rrit në 90 për qind. Asnjëri prej atyre që morën vaksinën nuk u sëmur rëndë nga Covid-19.

“Me të vërtetë është një moment i shkëlqyeshëm që tani kemi shumë vaksina. Nëse mund t’i shpërndajmë ato sa më shpejt që të jetë e mundur, ne do të kemi një ndikim të madh”, tha Andrew Pollard, drejtor i Grupit të Oksfordit për Vaksinat.

AstraZeneca planifikon të fillojë shpërndarjen e qindra miliona dozave deri në fund të vitit, në varësi të autorizimit të rregullatorëve. Mjekët thonë se disa veti të vaksinës e bëjnë atë të përshtatshme për shpërndarje globale.

“E para është kostoja. Pra, çmimi i kësaj vaksine do të jetë sa rreth një e pesta deri një e dhjeta e kostos që është raportuar se kërkohet nga Pfizer dhe Moderna, dy kandidatët e tjerë kryesorë të vaksinave”, tha Dr. Peter Drobac, ekspert i shëndetit global në Universitetin e Oksfordit.

AstraZeneca është zotuar se nuk do të përpiqet të nxjerrë fitime nga vaksina gjatë pandemisë.

“Në dhjetë vende tashmë vaksina është duke u prodhuar, përfshirë Indinë. Pra, ne shpresojmë që së shpejti të kemi në dispozicion një numër shumë të madh dozash. Dhe së treti, kjo vaksinë mund të ruhet në temperaturën normale të frigoriferit”, tha Dr. Peter Drobc.

Ndërsa vaksina kompanisë Pfizer duhet të ruhet në një temperaturë minus 70 gradë celsius.

Shumë sisteme shëndetësore në vendet në zhvillim kanë mungesa të pajisjeve ftohëse për të ruajtur ilaçet në temperatura shumë të ulta.

Deri më tani 188 vende kanë nënshkruar iniciativën COVAX, e cila bënë thirrje që vendet më të pasura të investojnë në zhvillimin e disa vaksinave dhe infrastrukturës së nevojshme për shpërndarjen e tyre në të gjithë globin.

“Qëllimi ideal do të ishte që secili prej vendeve që regjistrohen në iniciativën COVAX të marrë doza të mjaftueshme të vaksinës për 20 për qind të popullsisë së tyre deri në fund të vitit 2021. Tani kjo është një aspiratë, jo një garanci. Por kjo do të krijonte mundësinë që çdo vend të paktën të vaksinonte punonjësit më të rrezikuar”, tha Dr. Drobac.

Kandidatët kryesorë të vaksinave mund të marrin një autorizim emergjent nga rregullatorët në javët e ardhshme, duke rritur shpresat se bota është në prag të një arritje të madhe në luftën kundër pandemisë.

Ndërkohë, mjekët thonë se është jetike që njerëzit të respektojnë masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit./VOA