MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Zgjedhjet: Momenti i së vërtetës së Demokracisë Amerikane

03.11.2020 - 16:12

Edhe pas katër vitesh, shumë amerikanë ende duhet të bëjnë llogaritë me presidencën e Donald Trump për politikën e vendit dhe të ardhmen afatgjatë. Edhe nëse Trump nuk arrin të fitojë ai dhe partia që ai drejton tani i ka kthyer Shtetet e Bashkuara në një territor të rrezikshëm nga i cili nuk ka dalje të qartë.

Në momente të caktuara të historisë shpesh pasi progresi i konsiderueshëm shoqëror ka zhgënjyer segmente të caktuara të shoqërisë një individ shfaqet në skenën politike duke pretenduar se do luftojë për diçka madhështore dhe të re. I aftë në artet e vetë-prezantimit dhe manipulimit emocional, ai/ajo kap zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve me sjelljet e veta. Me kohën, një kult i personalitetit formohet rreth tij. Dhe megjithëse ai ka kërcënuar ose përdorur dhunë në ngjitjen e tij në pushtet, ai gëzon mbështetjen e besimtarëve, të cilët e shohin atë si shpëtimtarin që do të sjellë rregull në një botë të çrregullt.

Ky përshkrim i të fortit u përshtatet shumë udhëheqësve aktualë. Dhe, nga Brazili i Jair Bolsonaro dhe Turqia e Rexhep Tajip Erdogan, te Rusia e Vladimir Putin dhe Shtetet e Bashkuara nën Donald Trump, janë drejtuesit që qeverisin disa nga vendet më të rëndësishme gjeopolitikisht në botë.

Që kur Trump mori detyrën në fillim të vitit 2017, SH.B.A.-të kanë përjetuar një erozion të demokracisë dhe janë dëshmitarë të shpalosjes së udhëheqjes autoritare. Zgjedhjet e menjëhershme presidenciale janë një referendum mbi drejtimin e ri joliberal që Amerika ka marrë nën një president i cili ka përfshirë ekstremizmin e ekstremit të djathtë dhe ka ndjekur një politikë të jashtme të ndërtuar mbi aleanca transaksionesh në të gjithë botën.

Çdo fushatë zgjedhore mund të sjellë surpriza, siç tregoi humbja e papritur e Hillary Clinton në 2016.

Megjithatë, një frikë ekzistenciale rrethon zgjedhjet e vitit 2020 të cilat po zhvillohen sot dhe që kanë sjellë në plan të parë mundësi të paimagjinueshme më parë. Trump ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur se ai mund të refuzojë të pranojë humbjen, dhe shumë shqetësohen se ai do të nxisë dhunë politike nëse rezultati nuk shkon sikur do të donte ai. Këto skenarë janë dëshmi e një klime të degraduar demokratike dhe një dëshmi e qartë se sa larg e ka çuar politika autoritare e Trump kulturën politike amerikane.

Disa ekspertë, si gazetari konservator i New York Times, Ross Douthat, përqeshin përshkrimin ndaj Trump si një njeri i fortë. Ata e shohin atë si shumë të dobët dhe maskara që ka shkaktuar dëme serioze në shoqërinë amerikane, edhe nëse ai rizgjidhet do ndodhte sërish e njëjta gjë. Duke përdorur regjimet jo-liberale të ngulitura thellë si Rusia e Putinit këta skeptikë përqendrohen në atë që Trump nuk ka bërë. Ai nuk ka mbyllur mediat opozitare ose ka vendosur kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe institucionet e tjera, prandaj për çfarë të shqetësohemi?

Por ky është një krahasim mashtrues. Çdo udhëheqës modern autoritar filloi në një shoqëri me liri më të mëdha dhe gradualisht kreu një proces të mbylljes së shtetit. Sidomos në shekullin e njëzet e një, evolucioni, në vend (ose një grusht shteti ushtarak), ka qenë mënyra me të cilën liria zëvendësohet me despotizmin. Për më tepër, pa një vështrim të matur në atë që Trump ka arritur, ne nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë se si arritëm në këtë pikë të rrezikshme, ose çfarë të presim në javët, muajt ose vitet e ardhshme, në rast se Trump fiton përsëri zgjedhje.

Historia e presidencës amerikane është një udhëzues i dobët për të interpretuar veprimet e Trump, duke filluar me marrëdhëniet e tij me elitat politike republikane që kanë qëndruar pranë tij përmes skandaleve seksuale dhe korrupsionit, fajësimit dhe keqmenaxhimit të tmerrshëm të pandemisë COVID-19. Në vend të kësaj, ne duhet të shikojmë në modelet e “sundimit individualist” autoritar, ku pushteti përqendrohet në një individ, interesat e tij politike dhe financiarë të të cilit zakonisht mbizotërojnë mbi interesat kombëtare. Nën këto regjime, besnikëria ndaj udhëheqësit dhe aleatëve të tij, dhe pjesëmarrja në korrupsionin e tij, më shumë sesa ekspertiza ose përvoja profesionale, janë kualifikimet kryesore për drejtimin qeveritar.

Suksesi i Trump në zbutjen e klasës politike është akoma më i dukshëm kur merret parasysh se shumica e despotëve të tjerë ishin ngritur tashmë brenda partive të tyre. Erdogan, Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Benito Mussolini, për shembull, kishin një bazë të themeluar pushteti shumë më para se të fillonin marrjen e pushtetit autokratik. Trump nuk kishte asnjë mjet të tillë politik të gatshëm për ambiciet e tij. Por brenda vetëm disa viteve, ai ka arritur të transformojë Partinë Republikane në një ekskluzivitet tjetër personal.

Republikanët, nga ana e tyre, duket se e konsiderojnë Trumpin si një mjet për të realizuar qëllimet e tyre të vendosura prej kohësh (mbrojtjen e hegjemonisë së krishterë të bardhë, çrregullimin e pjesëve të mëdha të ekonomisë dhe uljen e taksave për të pasurit).

Por pavarësisht arsyeve të tyre, ata u mblodhën pas tij në një numër kaq të madh dhe me aq zjarr sa të transformonin Partinë e Vjetër të Madhe.

Për këtë cikël zgjedhor, partia nuk ofroi asnjë platformë politike, dhe në vend të kësaj lëshoi një deklaratë të frikshme të “mbështetjes së pakushtëzuar për Presidentin Donald Trump dhe Administratën e tij”, duke ilustruar klimën e frikës që tani mbretëron brenda partisë. Republikanët janë fokusuar tani tek fyerjet e armiqve të tij dhe duke e mbrojtur atë kundër çdo lloj forme përgjegjësie.

Kjo marrëdhënie autoritare udhëheqës-pasues pasqyron një ndryshim thelbësor në kulturën politike të GOP që amerikanët do të duhet të llogarisin pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Një mori studimesh krahasuese të kohëve të fundit tregojnë se Partia Republikane nuk është më një organizatë kryesore demokratike as në retorikën e saj dhe as në veprimet e saj. Tani është më afër partive të Orbanit dhe Erdoganit sesa konservatorëve britanikë ose demokratëve kristianë të Gjermanisë.

Në fakt, shumë kohë para se të shfaqej Trump, GOP, i brohoritur nga një univers i fuqishëm mediatik i krahut të djathtë, kishte hequr dorë nga angazhimet e tij të mëparshme ndaj nocioneve demokratike të tolerancës reciproke dhe qeverisjes dypartiake.

Por Trump ka legjitimuar elementët ekstremistë që dikur ishin të kufizuar në skajet e partisë. Ndërsa këshilltarja e vjetër e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conëay shkroi në Twitter menjëherë pas zgjedhjes së Trump, në përgjigje të protestës mbi urdhrin e tij që ndalonte udhëtarët nga vendet me shumicë myslimane, “Mësohuni me të. Është një njeri i veprimit dhe ndikimit. Premtimet e bëra, premtimet e mbajtura. Tronditje në sistem. Dhe ai sapo ka filluar.”

Ndalimi i udhëtimit e hodhi vendin në një gjendje kaosi, duke i dhënë punonjësve publikë dhe federalë një prezantim të brendshëm të një administrate që, me mbështetjen e plotë të GOP, i kishte shpallur luftë popullit të vet. Gjatë katër viteve të ardhshme, Trump dhe ndjekësit e tij do të ndanin fëmijët imigrantë nga familjet e tyre, të vendosnin forca federale kundër demonstruesve paqësorë, të lëshonin një fushatë masive dezinformuese dhe të shkatërronin ose prishnin agjencitë e panumërta qeveritare.

Vetëm duke pranuar realitetin e kthesës autoritare në politikën amerikane mund të luftohet erozioni i mëtejshëm demokratik. Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, kjo detyrë mbetet.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Project Syndicate/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?