MENU
klinika

Nga Fatos Lubonja

Zgjedhjet në SHBA, si dhe pse votuan amerikanët

05.11.2020 - 15:37

Përpara këtyre zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve është shkruar dhe folur shumë se ato do të jenë një referendum rreth Donald Trump. Ata që e shtronin kështu çështjen duket se ishin më së shumti pjesa anti-Trump e komentatorëve dhe elektoratit amerikan. Duke e shtruar kështu, ata indirekt kërkonin të vinin në dukje karakterin e mbrapshtë të Trump-it, sjelljet e tij antidemokratike, të paparashikueshme, përçarëse dhe polarizuese, të rrezikshme për demokracinë në mos sëmundjen e tij të narcizmit. Këto duhet të ishin të mjaftueshme, sipas tyre, që një amerikan me buon sens – qoftë ky edhe republikan – të shkonte të hidhte votën për ta nxjerrë nga zyra më e rëndësishme në botë Trump-in dhe për të futur aty normalin Biden.

Rezultati, pavarësisht se cili do të fitojë, tregoi se Trump dhe Biden shkuan rrotë më rrotë duke e hedhur në një farë mënyre poshtë tezën e referendumit së bashku me sondazhet paraelektorale. Ai hodhi poshtë edhe tezën se dyndja historike e votuesve në këto zgjedhje – me mbi 100 milionë votues me postë, – nënkuptonte mobilizimin e atyre që donin të hiqnin qafe Trump-in. Rritja shkoi në të dy krahët, duke folur për një mobilizim të të dy krahëve, për shkak të një polarizimi të pakrahasueshëm me zgjedhje paraardhëse. Atëherë, si dhe pse kanë votuar amerikanët e polarizuar nëse jo për Trump ose anti Trump? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet t’i referohemi dy sondazheve të “CNN” ditën e zgjedhjeve.

Në njërin prej tyre, zgjedhësit e të dy krahëve pyeteshin nëse kishin votuar për kandidatin e tyre nisur nga idetë e apo njeriu që votonin. E pra, 80% e partizanëve të Trump-it deklaronin se kishin votuar nisur nga idetë dhe vetëm 15% (me siguri edhe nga turpi) deklaruan se ishin nisur nga njeriu Trump. Në krahun demokrat ishin 60% ata që votonin për idetë e Biden-it dhe 30% për njeriun. Fakti që ishin dyfishi i demokratëve që votonin njeriun Biden tregon se ata i mëshonin shumë më tepër njeriut sesa ata të Trump-it. Fakti që partizanët e Trump-it i mëshonin ideve flet se ata ndoshta janë të vetëdijshëm për defektet e Trump-it njeri, por se ky njeri u ka interesuar pasi ai u ka folur me gjuhën e interesave të tyre, vlerave të tyre, identitetit të tyre.

Në fakt, këto zgjedhje treguan një Amerikë të ndarë për sa u përket disa vlerave dhe identiteteve themelore. Për të parë se cilat janë këto vlera mjaft të kesh parasysh sondazhin e dytë të “CNN”.

Votuesit e të dy krahëve ishin pyetur se cilat ishin gjërat kryesore (sipas radhës) që i kishin shtyrë të votonin kandidatin e tyre. 35% e partizanëve të Biden-it vinin të parën çështjet raciale (duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, që kanë krijuar përçarje të madhe në testin social amerikan me vrasjen e disa të zinjve), të dytën çështjen e pandemisë dhe pastaj vazhdonin me ekonominë me sistemin shëndetësor etj. Kurse partizanët e Trump-it vinin ekonominë të parën, vazhdonin me sigurinë dhe vetëm në fund, vetëm me 3% vinin çështjet raciale dhe vetëm me 5% vinin pandeminë. Kjo flet për një diferencë të madhe vlerash që ndajnë amerikanët racistë me ata antiracistë dhe shumë vlera të tjera që ndajnë konservatorët me progresistët. Edhe çështja e menaxhimit të pandemisë duhet parë në kuadrin e këtyre vlerave. Biden-i edhe në mënyrën se si e zhvilloi fushatën elektorale tregoi kujdes dhe merak për jetën njerëzore – duke pasur parasysh edhe faktin se pjesa më e madhe e atyre që ka vrarë Covid-i janë pjesa më e madhe shtresa të brishta. Kurse Trump-i, duke treguar muskujt ndaj virusit, duke hequr në mënyrë demonstrative maskën, iu përgjigj pjesës së amerikanëve të fortë, më të pasur, që i shqetëson më shumë ekonomia e tyre.

Gjithsesi, një fitore e Biden-it, që ka si premtim kryesor riunifikimin e një Amerikë më të përçarë, mund të konsiderohet si një shpresë që në mes të dyja palëve të mos thellohet konflikti dhe përçarja, por të rikthehet dialogu dhe uniteti i bazuar në respektin reciprok.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN