Nëse ka një gjë për të cilën shumica e amerikanë mund të bien dakord, është se fushata e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti solli një pafundësi gënjeshtrash që e kanë bërë politikën e zakontë thuajse të pamundur. Fatkeqësisht, ata “që tregtojnë” një “Gënjeshtër të Madhe” ndonjëherë kanë avantazhin.
Fushata e zgjedhjeve presidenciale të SHBA 2020 ka dalluar nga mungesa e debatit thelbësor dhe një lumë gënjeshtrash. Siç tha Joe Biden për Donald Trump në debatin e parë televiziv, “Fakti është se gjithçka që ai po thotë deri tani është thjesht një gënjeshtër.
“Unë nuk jam këtu për të përsëritur gënjeshtrat e tij. Të gjithë e dinë që ai është gënjeshtar”. Në politikë, sa më shumë që të thuhen gënjeshtrat, aq më shumë mundësi ka që secila palë të akuzojë tjetrën për gënjeshtra. Pason një spirale pandershmërie, duke e bërë të pamundur debatin racional. Me çdo gënjeshtër që lind vijnë edhe më shumë të tjera, politika normale zëvendësohet nga një politikë mashtrimi. Ne e dimë këtë sepse fenomeni nuk është i ri ose ekskluziv për shekullin e njëzet e një.
Historia është plot paralajmërime për një shoqëri të mbushur me gënjeshtra. Shekspiri e përshkroi problemin shkëlqyeshëm në dramat e tij.
Si çdo mekanizëm tjetër edhe gënjeshtra e parë vë në lëvizje një cikël të pafund gënjeshtrash. Gënjeshtrat krijojnë nevojën për më shumë gënjeshtra; dhe ndërsa bëhen më të mëdha, promovuesit e tyre shpesh mendojnë që pretendimet e tyre janë bërë më të mira. Por dihet për të gjithë se cili është lloji më i thjeshtë i gënjeshtrës: Shtrembërimi i fakteve.
Manipulimi i fakteve duhet të jetë i lehtë. Trump e filloi presidencën e tij me gënjeshtrën se turma e tij gjatë emërimit president, kishte qenë më e madhe se e Presidentit Barak Obama katër vjet më parë. Provat fotografike treguan se ky pretendim ishte i rremë. Por mbase kjo ishte çështja: Trump po përdorte gënjeshtrën për të treguar fuqinë e tij.
Diktatorët e shekullit XX e konsideruan mjaft tërheqëse taktikën e “Gënjeshtrës së Madhe” dhe e bënë atë qendër për pushtetin e tyre. Adolf Hitler përshkruan procesin në detaje në Mein Kampf: “Në gënjeshtrën e madhe ekziston gjithmonë një forcë e caktuar e besueshmërisë; sepse turmat e një kombi korruptohen gjithmonë më lehtë për shkak të natyrës së tyre thellësisht emocionale”. Megjithëse Hitleri po akuzonte kundërshtarët e tij për praktikimin e Gënjeshtrës së Madhe, ai gjithashtu po ofronte një pamje paraprake se si do ta merrte pushtetin.
Një formë tjetër e gënjeshtrës përfshin thjeshtime të papërshtatshme. Këtu, pretendimi i politikanit shërben për të bllokuar ose paraprirë një diskutim më kompleks të çështjes themelore. Për shembull, në debatin e dytë Biden-Trump, kontrollorët e fakteve në kohë reale të New York Times theksuan dy pretendime ekonomike që ata i kategorizuan si të rreme. E para ishte deklarata e Biden se Trump “ka bërë që deficiti [tregtar] me Kinën të rritet, jo të ulet”.
Këtu, e vërteta është më e komplikuar. Deficiti dypalësh i Amerikës me Kinën nën drejtimin e Trump fillimisht u rrit midis 2016 dhe 2018, por më pas ra, për shkak të tarifave të Trump. Por deficiti i përgjithshëm tregtar i SH.B.A.- së ka vazhduar të rritet që nga viti 2016, duke arritur nivele këtë verë që ishin më të larta se muajt ekuivalentë në 2019. Duke komplikuar çështjet më tej, një pjesë e deficitit amerikan është me vendet e tjera që blejnë produkte të ndërmjetme nga Kina, si në rastin e produkteve farmaceutike të importuara nga India.
Gënjeshtra e dytë që vunë në dukje kontrolluesit kishte të bënte me pyetjen nëse Kina duhet të paguante dëmshpërblime për shkaktimin e pandemisë COVID-19. Trump këmbënguli se “Kina po paguan. Ata po paguajnë miliarda dhe miliarda dollarë”, duke nënkuptuar që tarifat e administratës së tij përbëjnë një formë dëmshpërblimi.
SHBA në të vërtetë ka vënë më shumë se 60 miliardë $ në tarifat për mallrat kineze para se të niste pandemia.
Megjithatë nuk është e lehtë të gjesh saktësisht se kush i ka paguar këto “dëmshpërblime”. Në disa raste, prodhuesve kinezë u duhej të ulnin çmimet e tyre për të mbetur konkurrues në tregun amerikan. Por në shumë raste të tjera, tarifat çuan në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë.
Bërja e produkteve të ndërmjetme të importuara më të shtrenjta ka efekte të mëdha: tarifat më të larta për çelikun e importuar çojnë në çmime më të larta dhe ulje të kërkesës nga sektori i automobilave, duke mbyllur kështu vendet e punës atje.
Më në fund, ekziston një gënjeshtër ideologjie, qëllimi kryesor i së cilës është të prishë procesin e politikës normale. Kjo lloj gënjeshtre nuk mund të mos dallohet nga analistët. Në një ese mbresëlënëse, “Jeto nga gënjeshtrat”, e shkruar në 1974, Alexander Solzhenitsyn theksoi se janë idetë, jo deklaratat e thjeshta faktike, që i bëjnë gënjeshtrat bindëse.
Qëndrimi i Trump ka qenë të sugjerojë që politika ka të bëjë gjithmonë me gënjeshtrat, dhe se politikanët janë të gjithë gënjeshtarë. Prandaj, në debatin e dytë, ai u përpoq të përshkruante Biden si një politikan të përfshirë prej një kohe të gjatë gjatë në Washington, DC dhe përjashtoi veten e tij.
Solzhenitsyn dhe Havel bënë thirrje për rezistencë kundër marshimit dhe gënjeshtrave. Ata kërkuan një kthim në politikën e ndershmërisë – një përmbysje e githçkaje të falsifikuar. Amerikanët e kanë tani një mundësi të tillë.
Përkthyer dhe përshtatur nga: Project Syndicate/ F.H, konica.al