MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

10 konkluzionet e protestës për vrasjen e Klodian Rashës

16.12.2020 - 09:28

Nga Roland Qafoku

Në historinë 30-vjeçare të tranzicionit nuk ka ndodhur kurrë më parë që një polic të vrasë një person në këto rrethana si ajo e Klodian Rashës duke u gdhirë 8 dhjetori. Policët kanë vrarë më 2 prill 1991 në Shkodër. Por qëlluan në mënyrë kriminale turmën dhe aty u vranë 4 dhe 60 të tjerë u plagosën. Kemi parë 21 janarin e vitit 2011 kur gardistët, si pjesë e trupës së Ministrisë së Brendshme qëlluan ndaj turmës dhe vranë 4 qytetarë protestues dhe disa të tjerë u plagosën. Kemi parë edhe raste si ai i Gazmend Tahirllarit në Korçë më 4 janar 2003 kur nga dhuna e policisë pas shoqërimit në polici ai mbeti i vdekur.

Trupa policore fshehu provat dhe e varrosi viktimën me diagnozën vdiq nga pija e tepërt. Vetëm një rihetim nga Avokati i Popullit  solli zhvarrosjen e viktimës dhe arrestimin e trupës policore si autore e dhunës. Por kurrë më parë nuk kishim parë e dëgjuar një vrasje me arsyen pse nuk i ndaloi policisë. Me të drejtë opinioni publik kërkon trasparencë dhe me të drejtë e gjithë shoqëria ndjehet e revoltuar. Por a është dhuna ndaj policisë dhe shkatërrimet e institucioneve mënyra më e mira për të protestuar dhe më e rëndësishme se kaq, çfarë ka sjellë kjo protestë? Besojmë se janë 10 konkluzine që mund të nxjerrim nga këto 6 ditë që nga momenti kur dy plumba goditën  trupin e  25-vjeçarit dhe I morën jetën.

1.VRASJA E 25-VJEÇARIT RASHA, NJË KRIM POLICOR PERSONAL

Në historinë e këtyre 30 viteve nuk ka një rast të dytë si vrasja e Klodian Rashë duke u gdhirë ky 8 dhjetor. Asnjë polic nuk ka vrarë më parë në këto rrethana. Rasti i Klodian Rashës është I vetmi që një polic qëllon ndaj një qytetari pa kryer më parë të gjithë lajmërimet dhe paralajmërimet. Ky është një krim policor dhe personal. Policor se autori ishte i veshur me uniformën e policisë dhe krimin e ka kryer gjatë shërbimit. Policor se krimi është kryer në emër të saj nga përfaqësues i saj, me armën e shërbimit dhe duke kryer veprime direkt ndaj një qytetari. Por ky krim është personal gjithashtu sepse gjithçka është vepër e punonjësit të policisë Nevaldo Hajdaraj.

Në të gjithë të histori krimi, autori ka kryer gjithçka vetë, pa angazhimin dhe bashkëpunimin e tjetër kujt. Ai nuk ka marrë asnjë urdhër, udhëzim apo qoftë një këshillë nga një koleg apo epror. Gjithçka në dinamikë, polici në fjalë e ka kryer vetë që nga thirrja për të ndaluar, e deri te vrasja.

2.HETIMI I POLICIË PËR VRASJEN E 25-VJEÇARIT

Ka lënë për të dëshiruar hetimi fillestar i policisë për vrasjen e të riut 25-vjeçar Klodian Rasha. Deklarata që nuk tregojnë transparencë, deklarata kontradiktore ishin të parat duke treguar se jo vetëm që krimi ishte i rëndë por ka patur tentativa për ta fshehur ngjarjen. Vetëm ndërhyrja e SHÇBA solli që hetimi të vendosej në hullinë normale. Vetëm kur presioni dhe media e solli ngjarjen si nga më të rëndat nisi të marrë udhë kryerja profesionale e hetimeve.

Të paktën sipas të dhënave të deritanishme, polici i shërbimit Nevaldoi Hajdaraj dhe kolegu i tij Erion Gjore me të cilin ishin në shërbim patrulle kanë dhënë dëshmi kontradiktore. Hajdaraj është shprehur se Rasha ka nxjerrë diçka të dyshimtë nga brezi dhe ka thënë mos u afro se do të qëlloj. Pikërisht kjo sipas Hajdarajt ka sjellë reagimin e tij duke e qëlluar. Por Gjore ka deklaruar se ka parë që Klodian Rasha dhe Nevaldo Hajdaraj janë përleshur dhe në këtë moment ka dëgjuar dy të shtëna.   

3.DORËHEQJA E SANDËR LLESHAJT

Në historinë 108-vjeçare të shtetit shqiptar janë 63 ministra të Brendshsëm dhe nga këta 25 pas rrëzimit të komunizmir. Një pjesë e tyre janë larguar me dorëheqje, një pjesë me probleme shumë të forta si me forcën politike kundërshtare por edhe me forcën politike që përfaqësonin . Por në asnjë rast nuk kemi një largim me dëshirë si i Sandër Lleshajt pas një ngjarje që nuk lidhet me të direkt. Fjala vjen, në tetor 2003 dorëheqja e ministrit të Brendshëm Luan Rama erdhi pas një incidenti personal me gazetarin Ilir Babaramo. Edhe dorëheqja e Fatmir Xhafës më 27 tetor 2018 erdhi pas një ngjarje që lidhej me të vëllanë e tij që për hir të vërtetës u dorëzua te autoritete italiane.

Ndërsa Sandër Lleshaj u largua me dëshirën e vetë pas një ngjarje që as nuk ishte përfshirë dhe as nuk kishte fare lidhje e dijeni. Por sigurisht me një ngjarje të rëndë por që ai u largua për moral. Jam shumë i bindur që kjo vendos një standart të ri në Shqipëri. Tani e tutje çdo ministër, çdo titullar dikasteri apo çdo institucioni duhet të japë dorëheqjen nëse ndodh diçka në institucioni që ai drejton. Ne nuk duhet të habitemi më përse në Austri ministri i Infrastrukturës dha dorëheqjen se u rrëzua një urë që ishte ndërtuar 50 vjet më parë. Politikanët tanë dhe drejtuesit e institucioneve pas kësaj dorëheqje duhet të funksionojnë siç bëri Sandër Lleshaj.

4.ÇFARË DO ISHTE KJO PROTESTË DHE KJO NGAJRJE PA MEDIAN

Tashmë në 30 vjet përvojë media shqiptare nuk ka asnjë hap prapa asaj të huaj. Ka qenë e jashtëzakonshme transmetimi live në një televizion vetëm 10 vjet më parë i një proteste, veçanërisht me aq shumë detaje sa media shqiptare i transmeton sot në kohë reale. Sot, edhe kanali më modest por edhe një portal modest transmeton live një protestë kudo të jetë ajo. Dhe duhet ta themi se e gjithë kjo është meritë e medias shqiptare, e investimit teknologjik dhe e profesionalizmit të gazetarëve. Por a vlerësohet kjo? Duhet të themi se po këta gazetarë nuk kanë arritur ende të kenë statusin special të paprekshmit dhe të sigurimit të kushteve për të raportuar për një protestë si kjo e këtyre ditëve.

Dhuna, shtrëngimi i prangave të duar të kryeredaktorit të “Koha Jonë” Qamil Xhani është një ngjarje shumë e rëndë. Një ngjarje që lë shije të hidhur dhe që pushteti duhet ta korrigjoje urgjentisht. Nëse një polic nuk shquan dot një gazetar, nëse një polic nuk di se ku ndodhet një redaksi por rrëmben te dera e saj gazetarë. Nëse një polic nuk ha pyka fare edhe kur i arrestuari u thotë që jam gazetar, atëherë ç’duhet të bëjë më kjo polici për ti thënë që të tillë policë janë jashtë kontrollit? Trajnimi dhe orientimi i trupës së policisë është dhe duhet të mbetet primar në angazhimin e tyre. Ndryshe, nuk është e tepër të themi se viktima si ajo e Klodian Rashës mund të mbeten dhe gazetarët. Ky do ishte krim mbi krimet.

5.PROTESTA E SHOQËRISË

Nisja e protestave për vrasjen e Klodian Rashës ishte gjëja më normale pas një ngjarje të tillë. Nuk kishte më qytetarë se sa grupe të rinjsh, vajza e djem por edhe qytetarë të zakonshëm që nisën protestën në emër të jetës. Ishte përkufizimi më perfekt se protesta e shoqërisë është shkalla më e larët e demokracisë së një shoqërie.  Nuk kishte nevojë të etiketoje kush e drejtonte. Ishin vetëm protestë e shoqërisë që reagon ndaj një ngjarje të tillë. Por vetëm pas disa orësh gjithçka u shkatërrua. Shoqëria civile u shndërrua në një grupim dhunuesish ndaj policisë dhe institucioneve dhe objekteve shtetërore duke e zhdukur fjalën protestë e shoqërisë.

6.PROTESTA E POLITIZUAR

Por vetëm pas një ore nga kjo solli atë që ndodh rendon. Protesta u politizua. Duket qartë që është e opozitës dhe duket qartë që është një reagim politik. Është mëse normale që kërkesa e protestueseve është dorëheqja e qeverisë. Por përzërja e saj me politikën e zhvlerëson edhe këtë kërkesë. Shqipëria vazhdon të ketë protestat më të çuditshme në rruzull. Këtu protestojnë partitë, këtu dhunojnë institucionet partitë dhe të gjithë këtë e bëjnë rregullisht ato parti që janë në opozitë, pa asnjë përjashtim. Sapo ato vinë në pushtet protesta dhe dhuna transferohet dhe partia opozitare që dikur ishte në pushtet. Prandaj, derisa në Shqipërinë tonë të protestohet politikisht, të protestohet nga partitë, të protestohet për të larguar qeverinë në mënyrë që të vi në pushtet pikërisht që ata që protestojnë, protestat nuk do të kenë asnjëherë vlerë pozitive.

7.OPOZITA DHE QEVERIA NË PËRBALLJE

Partia Demoratike dhe qeveria janë përplasur sërish gjatë këtyre ditëve të protestës. Partia Demokratike me deklarata që qeveria është fajtore për vrasjen e 25-vjeçarit Rasha dhe qeveria që bën fajtore opozitën për nxitjen, organizimin e deri shpërndarjen e parave për ata që protestojnë. Është një sjellje që sado dy forcat më të mëdha politike ta quajnë  se funksionojnë ndryshe nga njëra-tjetra, ngjan si dy pika uji. Është e njëjta sjellje dhe është e njëjta mënyrë funksionimi. Fajtori gjendet te kundërshtari politik dhe ai është i keqi dhe unë jam I miri. PD dhe PS vijojnë të sillen si dy kulla armike dhe kjo shkon deri atje sa edhe qëndrimet e drejta që i bëjnë fajtorë të dy shikohen po me armiqësi.

8.PROTESTA E MINORENËVE

Të rinjtë të marrin në dorë fatet e Shqipërisë. Të rinjtë janë e ardhmja. Pa diskutim që këto thirrje deklarative janë të shumë të drejta dhe me shpirt. Por a e bëjnë për idealizëm këta të rinj protestën? Vështirë të besohet. Mjaftojmë ta krahasojmë me protestën e studentëve vitin e kaluar për të kuptuar dallimin. Vërtetë protesta e këtyre ditëve ka pjesëmarrjen me moshën mesatare më të ulët në historinë e protestave në Shqipëri por ajo nuk e ka kurrë Brenda idealizmin e shumë protestave të tjera.

9.SHKATËRRIMET E PROTESTËS

Dikush shkroi se çfarë vlen një pemë e djegur e krishtlindjes? Përballë kujt? Mendoj se asnjë qytetar normal nuk është gëzuar kur ka dalë në mëngjesin e të enjtes dhe ka parë se semafori të rruga ku kalon mungon. Se billbordet në të gjitha rrugët rrugët janë kthyer në një pirg xhamash. Se trotureve u janë hequr pllakat dhe janë shkatërruar. Të gjitha këto dëme ne do ti paguajmë në një formë apo tjetër. Atëherë çfarë sjellin shkatërrimet?.

Nga ajo që ka ndodhur në Shqipërinë e  këtyre 30 viteve, asnjë forcë politike nuk ka ardhur në pasohet më dhunë. Nëse kërkohet dorëheqja e Ramës ajo nuk mund të bëhet duke shkatërruar kryeqytetin. Protesta më të forta dhe më me ndikim kanë qenë protestat mbarë popullore në të cilat nuk është ushtruar dhunë. Protesta për mos sjelljen e armëve kimike në nëntor 2013 është më e bukura në historinë e protestave që kanë ndodhur në Shqipëri. Dhe të mendosh se qeveria, pikërisht prej asaj lloj proteste u tërhoq. Kështu që çdo dhunë në protestë jo vetëm nuk e ndihmon kauzën e protestës por e dëmton atë.

10.NDIKIMI I PROTESTËS

Nuk e dimë se çdo sjellë protesta e këtyre ditëve por ajo do ketë një ndikim të madh në jetën politike të vendit. Së pari, pandemia duket sikur është harruar por pasojat e grumbullimeve të protestës do të shfaqen pak ditë më vonë. Urojmë që të jenë sa më të vogla. Kjo protestë pritet të ndikojë gjithashtu edhe në mënyrën e funksionimit të policisë. Jo vetëm që ngjarje si ajo e 8 dhjetorit do synohet të eliminohen, por trajnimi i policisë pritet të jete prioritet në të ardhmen. Ndërkohë, kjo protestë pritet të ndikojë në mënyrën edhe se si do qeverisë PS edhe në 4 muajt e fundit të mandatit të dytë. A do jetë ajo më e tensionuar apo më e sigurtë? Të presim. Por protesta pritet të ndikojë edhe në zgjedhjet e 25 prillit. Partitë kundërshtare do rrisin apo ulin kuotat e tyre në vartësi se si do përfundojë kjo protestë. Se si do ketë fundin kjo protestë, se kush do fitojë moralisht, ashtu pritet të jetë edhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare.