MENU
klinika

Ngjarje e ndodhur pas mesnatës

25-vjeçari vritet nga policia, gazetarja: U qëllua në rrugicën pranë shtëpisë

08.12.2020 - 10:39

Policia e Tiranës, në njoftimin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë ndodhur pas mesnate në rrugën ‘Dritan Hoxha’, thotë se efektivi për shkak të ndricimit të dobët në zonë, nuk kishte fushëpamje dhe i është dukur se 25-vjecari Klodian Rasha kishte një send në dorë në dukje si armë dhe pasi është ndjerë i kanosur, e ka qëlluar të riun duke i shkaktuar vdekjen.

Por gazetarja Dorjana Bezat, në një lidhje live me “News24”, tha se “nga ajo që konstatoj unë, ngjarja ka ndodhur në hyrje të rrugicës, dhe rruga ‘Dritan Hoxha është e ndriçuar. Rrugica ka këto neonë që banorët thonë se cdo natë ndizen”.

Sipas gazetares, i riu deri në orën 23:00 kishte qenë në një lokal në zonën e “Don Boskos” dhe më pas teksa kthehej për në banesë i është bërë shenjë nga patrulla e policisë që të ndalonte. Pavarësisht këtij urdhri, i riu është futur mes rrugicave për të humbur gjurmët, ndërsa vetëm 100 metra larg banesës së tij është qëlluar 2 herë me plumb, duke i shkaktuar vdekjen.

Ndricimi i dobët është version i policisë, por banorët thonë se ndricimi është i mjaftueshëm për të parë nëse një person është i armatosur apo jo.

Një tjetër aspekt është fakti që në një njoftim të dytë policia tha se në vendin e ngjarjes është gjetur arma e dyshuar që i përket të riut, por pa shpjeguar pse i përket, dhe pse nuk iu gjet në dorë apo në trup viktimës

Unë kam kontaktuar me miqtë që më kanë thënë se kanë qenë deri në orën 23:00 në një lokal në hyrje të rrugës Don Bosko, ku i riu shkonte shpesh. Këtë gjë ka bërë edhe mbrëmjen e kaluar, aty ku është ndeshur rreth orës 1:30 pas mesnate me një patrullë të forcave Shqiponja.

Në momentin kur është futur në rrugicën e shtëpisë është qëlluar. Skena e vrasjes është fokusuar nga kamerat e sigurisë.

Në hyrje të rrugicës është një biznes servis ka kamera që ka fushëpamje dhe nga rrugica, e kamerat janë sekuestruar nga policia”, tha gazetarja.