MENU
klinika

Çfarë thonë studimet

A do ta kërcënojnë efikasitetin e vaksinave mutacionet e Covid-19?

30.12.2020 - 21:04

Më 8 dhjetor, Britania e Madhe u bë vendi i parë perëndimor, që filloi të vaksinonte qytetarët e saj kundër koronavirusit, me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara që e pasuan pak ditë më vonë. Një shenjë për shumë njerëz, se ajo mund të jetë në fakt një dritë në fund të tunelit, pas një viti katastrofik në aspektin e shëndetit publik.

Deri më sot, Covid-19 ka shkaktuar më shumë se 80 milion të infektuar dhe 1.7 milion të vdekur në të gjithë botën. Megjithatë, përkundër shpresave që kanë ngjallur vaksinat, është e rëndësishme të mos braktisni shumë shpejt protokollet pandemike, si mbajtja e maskës dhe distancimin fizik.

Vetëm pse tani kemi një vaksinë kundër Covid-19, nuk do të thotë se virusi është zhdukur. Në fakt, koronavirusi ka filluar tashmë të rishfaqet në forma të tjera – ose mutacione – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë derisa të shuhet plotësisht. Vigjilenca ka qenë gjithmonë thelbësore, por tani është akoma më jetike.

Por nga qershori, është zbuluar se virusi ka gjasa të përhapet nga njerëzit tek vjedullat, dhe të kthehet sërish tek njeriu. Në nëntor, Danimarka raportoi 12 raste të një lloji unik të koronavirusit, me një grup variantesh që nuk ishin parë më herët.

Shqetësimi global mbi këtë rast, e nxiti kryeministrin danez Mette Frederiksen të urdhëronte zhdukjen e 17 milion vjedullave. Si të mos mjaftonte kjo, një formë e re virusit u shfaq në Britani, dhe që raportohet të jetë më i transmetueshëm se sa homologët e tij.

Mutacioni B.1.1.7., detyroi 50 vende të ndalojnë udhëtimet drejt dhe nga Britania e Madhe.

Një lloj tjetër mutacioni, duket se ka evoluar veçmas në Afrikën e Jugut, ku ashtu si në Britani është bërë dominues. Dhe këto zhvillime vijnë në një kohë kritike:në mesin e një rritjeje të ndjeshme të rasteve në fillim të këtij dimri, dhe në fillim të shpërndarjes masive të vaksinave kundër variantit standard të SARS-CoV-2.

Për të kuptuar implikimet e mutacioneve të zbuluara kohët e fundit mbi ecurinë e pandemisë, duhet të kuptojmë se si viruset pësojnë ndryshime, si përhapen ato mutacione dhe çfarë ndikimi mund të kenë ato. SARS-CoV-2, është një virus ARN që ka rreth 30.000 baza në sekuencën e tij gjenetike.

Mutacionet – ndryshimet spontane që lindin në sekuencën gjenetike të virusit – nuk janë

asgjë e jashtëzakonshme për viruset e këtij lloji. Në fakt, viruset e ARN-së, si gripi, pësojnë shpesh mutacione gjatë shumimit, pasi mekanizmi që e kopjon ARN-në është i prirur ndaj gabimeve.

Por mutacionet ndodhin shumë më rrallë tek SARS-CoV-2, pasi mekanizmi i tij i kopjimit ka një normë më të ulët gabimi. Kjo është arsyeja pse rasti mesatar i SARS-CoV-2 i kontraktuar gjatë pandemisë, ndryshon nga lloji origjinal i Vuhanit me vetëm rreth 20 baza.

E megjithatë, mijëra mutacione janë identifikuar tek viruset SARS-CoV-2 në të gjithë globin. Shumica nuk përbëjnë ndonjë arsye për t’u shqetësuar:Shumica e mutacioneve ka të ngjarë të jenë neutrale, gjë që do të thotë se ato nuk janë as të favorshme, dhe as të pafavorshme për virusin.

Mutacionet e pafavorshme janë një lajm i mirë për shëndetin publik:ato mund të prishin funksionet e virusit, si për shembull aftësinë për t’u lidhur dhe depërtuar në qelizat njerëzore, dhe e dëmtojnë aftësinë e tij për t’u përhapur me efikasitet midis njerëzve.

Ndërkohë, perspektiva e mutacioneve të dobishme meriton më shumë shqetësim. Mutacionet e favorshme, mund ta ndihmojnë virusin të lidhet me qelizat njerëzore në një mënyrë më efikase, ose tëi shmangin plotësisht një përgjigje imunitare.

Në teori, mutacionet e dobishme të një virusi do të shtohen natyrshëm me kalimin e kohës, duke u bërë lloji dominues në një komunitet ose popullatë. Mutacionet neutrale, mund të përhapen gjerësisht në të gjithë popullatat, një fakt që mund ta bëjë të vështirë dallimin nëse një mutacion specifik është i zakonshëm për shkak të përhapjes së rastësishme, apo sepse ai është i dobishëm për virusin.

Mutacionet shtohen ndërsa virusi bën më shumë kopje të vetvetes. Në këtë kuptim, është e natyrshme që me kalimin e kohës, ne të shohim më shumë mutacione të koronavirusit. Por kur nivelet e transmetimit dhe shumimit viral janë të larta, presioni i përzgjedhjes mund të shkaktojë grumbullimin e mutacioneve të dobishme.

Presionet e përzgjedhjes, mund të lindin kur një virus përshtatet me një specie të re, përballet me një trajtim të ri ose përgjigje imune, ose kur pengohet nga një vaksinë. SARS-CoV-2 duket se përshtatet shpejt me kafshët e reja ku bartet. Në një studim të kryer në Kinë, virusi pësoi mutacion, dhe u përshtat shpejt tek minjtë.

Ky realitet është shkaku i zbehjes së euforisë globale për shkak të vaksinave:Shfaqja e mutacioneve, mund të zvogëlojë mbrojtjen e ofruar nga vaksinat dhe trajtimet me antitrupa, ku që të gjitha janë bazuar në llojin origjinal të Covid-19.

Shumica e vaksinave të koronavirusit, funksionojnë duke gjeneruar një përgjigje imune ndaj proteinës që e vesh nga jashtë virusin, dhe që është pjesa e virusit që lidhet me receptorin ACE2 në qelizat njerëzore. ACE2 është një enzimë që gjendet në shumë prej indeve tona,

dhe ka shumë funksione të rëndësishme, përfshirë rregullimin e presionit të gjakut.

Më herët mendohej se ndryshimet në këtë proteinë, nuk do të çonin më në infektimin e njerëzve, dhe për pasojë në përhapjen e virusit. Por shkencëtarët kanë zbuluar kohët e fundit disa mutacione në këtë proteinë, që nuk e zvogëlojnë aftësinë e virusit për t’u lidhur me receptorët.

Në përgjithësi, mutacionet në këtë proteinë kanë rezultuar më rezistente ndaj neutralizimit që bëjnë antitrupat, çka ka ngritur shqetësime në lidhje me pasojat e tyre të mundshme. Ndërsa bota po zhvillon barna të reja të lidhura me koronavirusin, ka raporte mbi njerëz që ishin infektuar me një farë të hershme të virusit, dhe më vonë nga një variant tjetër.

Prandaj ka arsye për t’u shqetësuar se disa mutacione të virusit, mund t’i shmangen përgjigjeve imune të gjeneruara nga vaksinimi. Nëse kjo vlen për variantet e vjedullave dhe  Britanisë së Madhe, kjo mbetet ende për t’u parë.

Analizat paraprake, sugjerojnë se mutacioni që prek vjedullat, ka më pak të ngjarë të jetë i ndjeshëm ndaj antitrupave të drejtuar kundër llojit standard të SARS-CoV-2. Por këto studime janë kryer në laboratorë, dhe kësisoj nuk e kapin gamën e plotë të reagimeve imune të njeriut.

Por implikimet e mundshme mbi efikasitetin e vaksinës janë shqetësuese. Dhe megjithëse kreu i BioNTech, Ugur Sahin, e ka siguruar botën mbi gjasat e mëdha që vaksina e kompanisë së tij të ofrojë imunitet kundër mutacionit B.1.1.7., një nga pjesët e variantit britanik mendohet të jetë gjendje t’u shmanget përgjigjeve imune.

Por për të parandaluar shfaqjen e “rezervuarëve” të rinj të virusit në speciet e tjera, qeveritë duhet të reformojnë urgjentisht praktikat bujqësore, të rrisin masat e biosigurisë dhe të mbajnë në mënyrë aktive skedat e Covid-19, duke e renditur shpesh gjenomën e virusit tek njerëzit dhe kafshët.

Këto të dhëna duhet të ndahen globalisht, në mënyrë që shpërthimet epidemike të mund të identifikohen dhe kontrollohen në kohë, përpara se të përhapen në rajone të ndryshme. Bota ka investuar miliarda dollarë në zhvillimin e vaksinave të koronavirusit.

Tani që vaksinat e sigurta dhe efektive po bëhen të disponueshme, është thelbësore që ne t’i mbrojmë këto burime të çmuara. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është të kontrollojmë transmetimin e virusit duke përdorur masat që ne e dimë se funksionojnë – testimi, gjurmimi, izolimi, mbajtja e maskës dhe distancimi fizik.

Kontrollimi i pandemisë në nivel global, kërkon që ne të punojmë bashkë. Vetëm atëherë mund të mbrohemi nga kërcënimi real që paraqesin sot mutacionet e virusit, sot dhe në të ardhmen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga siguria, efikasiteti dhe efektet anësore

9 gjërat që duhet të dini për vaksinat