MENU
klinika

Qenia dhe universi

Ajnshtajni: Individualizmi nuk ka asnjë kuptim

17.12.2020 - 16:40

        “Qenia njerëzore është një pjesë e tërësisë që ne e quajmë univers. Njeriu e eksperimenton veten të ndarë nga pjesa tjetër”. Kështu e fillon letrën që i dërgon Ajnshtajni një mikut të tij, që sapo kishte humbur djalin./Konica.al

Në vitin 1950, Albert Ajnshtajni shkroi një letër të mbushur me simbolikë dhe thellësi për të inkurajuar një mik, i cili sapo kishte humbur djalin e vogël nga poliomeliti. Dy dekada më vonë, “New York Times” publikoi tekstin e famshëm, duke na ofruar, pa e ditur, një formulë për mbijetesë dhe shpresë: dhembshurinë njerëzore. Fjalët e tij tërhoqën vëmendjen për vizionin filozofik që përçonin. Nuk mund të quhej besim, por i parë si një lloj spiritualiteti kozmik, një ndjesi epërsie. Sipas themeluesit të teorisë së relativitetit, dhimbja e humbjes mund të lehtësohet, i vetëdijshëm për faktin se secili prej nesh është pjesë e një tërësie. Ajo që pandehim se ka humbur, në të vërtetë mbetet brenda nesh, në çdo ind të qenies sonë. Pesë vjet pasi shkroi letrën, Albert Ajnshtajni vdiq nga aneurizmi. Në njëfarë mënyre, gati-gati pa e ditur, për trashëgiminë e jashtëzakonshme në fushën e shkencës dhe veçanërisht në fushën e fizikës, letra shtoi një dhunti të vogël dhe unike, që, më pas, filloi të qarkullonte me forcë më të madhe me përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale. Në ditët e sotme, mesazhi i nobelistit është më i rëndësishëm se kurrë. “Qenia njerëzore, në realitet, është pjesë e asaj që ne e quajmë univers. Njeriu e eksperimenton veten si të ndarë nga pjesa tjetër. I eksperimenton mendimet dhe ndjenjat si një iluzion optik të ndërgjegjjes së tij, kur në realitet nuk funksionon asgjë në këtë mënyrë (…)”.

(Letra e Albert Ajnshtajnit, 1950)

Ajnshtajni dhe fjalët mbi dhembshurinë njerëzore

Ndonjëherë neglizhojmë faktin që Albert Ajnshtajni ishte shumë më tepër, sesa arritjet e jashtëzakonshme shkencore. Ai ishte violinist, humanist, një person i përkushtuar në shoqëri, një mësues që admirohej dhe një mik besnik, që kujdesej gjithmonë për rrethin e tij më të ngushtë. Një gjë e tillë pasqyrohet në tërë letrat dhe dokumentet e tij të ruajtura në universitetin “Princeton”. Në korrespondencën e gjerë, gjejmë një shkëmbim letrash midis tij dhe figurave të tilla, si Sigmund Frojd, Bertrand Rasëll, Tomas Man, Xhorxh Bernard Shou, Franklin D. Ruyvelt, Albert Shueitzer. Në mes të oqeanit të rreshtave, arsyetimeve dhe mesazheve, del qartazi në pah se Albert Ajnshtajni, në momente vuajtjesh, ofronte gjithnjë ngushëllim. Dëshmi e gjallë është letra që i dërgon Mbretëreshës së Belgjikës. Elizabeta e Bavarisë dhe Albert Ajnshtajni kishin miqësi të ngushtë dhe një pasion të përbashkët: muzikën. Në vitin 1934, mbretëreshës i vdes i shoqi, duke praktikuar alpinizëm, tragjedi e cila gati e shkatërroi. Ati i teorisë së relativitetit gjeti fjalët e duhura për ta ngushëlluar, për t’i dhënë inkurajimin dhe forcën që i nevojiteshin. Për Ajnshtajnin dhembshuria njerëzore ishte një mekanizëm shpëtimi dhe një mënyrë për t’i dhënë kuptim jetës./Konica.al

Zgjimi i shpresës tek ata që kanë humbur gjënë më të çmuar, është padyshim një iniciativë e vështirë. Në raste të tilla “më fal” apo “kujtimi i tij do mbetet i paharruar” janë gati të padobishme. Brenga dhe dëshpërimi i humbjes s’duhet të na mbyllin në vuajtjet e përjetshme. Përkundrazi, duhet t’i kapërcejmë këto gjendje dhe të zgjojmë dhembshuri, dashuri dhe afeksion për gjithçka që na rrethon. Ajnshtajni i madh na kujton, se ne nuk ekzistojmë të ndarë. Individualizmi nuk ka asnjë kuptim ose qëllim në një botë të ndërvarur, në një univers ku jemi të gjithë pjesë e së tërës.

“Dhembshuria njerëzore është mjeti që na lejon të kapërcejmë, të shkojmë përtej vetvetes për të arritur gjithçka që na rrethon”.

Njerëzimi autentik është ai që del përtej feve, ideologjive, egoizmit, frikës dhe paragjykimeve. Albert Ajnshtajni nuk ishte i vetmi që dha një perspektivë gati kozmike për dhembshurinë njerëzore. Edhe Karl Sagan shkroi po ashtu në një nga librat e tij, se dhembshuria në harmoni me inteligjencën dhe teknologjinë, bashkuar për të krijuar një jetë kuptimplote dhe me respekt për planetin, do të na lejonin të preknim yjet. Ia vlen të përmenden fjalët e këtyre dy figurave të pamatshme të botës së fizikës dhe astronomisë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jo çdo gjë që mësuam në shkollë është e saktë

8 faktet e gabuara që mësuam në shkollë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit