Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim katër persona, për sulmin me armë ndaj lokalit në pronësi të efektivit të forcave “Shqiponja”, Albert Pjetri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes të së martës në afërsi të rrethrrotullimit te lagja e “5 heronjve të Vigut”.
Në kërkim nga Policia janë shpallur shtetasit Rivaldo Planaj, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj. Në vendin e ngjarjes u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 gëzhoja.
Sipas burimeve nga blutë e Shkodrës, mësohet se efektivi i Policisë ditët e fundit ka ndaluar teksa ka qenë në shërbim shtetasin Rivaldo Planaj. Ky i fundit ka tentuar që të mos i bindet Policisë dhe ka debatuar me efektivin Pjetri, i cili i ka bllokuar makinën. Ndërkohë, gjatë deklarimit të tij ka sqaruar edhe ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë. Por, burimet thanë se në asnjë moment ai nuk e ka akuzuar drejtpërdrejtë Rivaldo Planaj, se mund të jetë ai personi që qëlloi me breshëri arme në drejtim të lokalit dhe makinës në pronësi të tij.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të së martës, në zonën e njohur si “Zona e Pompave”, në afërsi të rrethrrotullimit të “5 heronjve”, në fshatin Dobraç. Fatmirësisht nuk mbeti asnjë person i lënduar nga breshëria e plumbave.
Lokali është në pronësi të shtetasit Albert Pjetri, efektiv i forcave “Shqiponja” në komisariatin e Policisë Shkodër. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e Policisë, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën për të bërë të mundur ndalimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, pas ngjarjes, efektivi Albert Pjetri bashkë me vëllezërit e tij është shoqëruar në Polici, ku edhe kanë dëshmuar rreth ngjarjes së ndodhur.
Njëri nga vëllezërit e pronarit të lokalit, Vlash Pjetri, ish-administrator i Njësisë Rrethina është shprehur për gazetën se as ai, as vëllezërit e tjerë nuk kanë qenë në lokal në momentin e sulmit.
Sipas tij, ata kanë qenë nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa lokali ishte i mbyllur. Pjetri tha se nuk i di arsyet e kësaj ngjarje, pasi asnjëri prej tyre s’ka pasur probleme me ndonjë person. “Nuk kemi qenë brenda në lokal. Kemi qenë në shtëpitë tona dhe lokali ka qenë i mbyllur. Nuk e dimë nga ka ardhur kjo ngjarje, Policia po heton”, tha ai pas ngjarjes. Ndërkohë,
Policia ka vijuar me kontrollet në zonë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e personave që kanë qëlluar me armë në drejtim të lokalit në pronësi të efektivit të Policisë.