Lindi më 29 janar 1860 dhe vdiq në moshën 44-vjeçare, më 15 korrik 1904, mirëpo në rastin e tij, ashtu si në rastin e shkrimtarit dhe dramaturgut të madh Georg Büchner, edhe pse vite të pakta në numër, qenë të mjaftueshme për të kuptuar thelbin e jetës dhe për ta rikthyer atë në forma të jashtëzakonshme artistike./Konica.al
A. Çehovi ishte fizikan, dramaturg dhe konsiderohet ndër shkrimtarët më të mëdhenj i tregimeve të shkurtra. Në rreth njëzet vjet krijimtari narrative dhe teatrale, në të vërtetë Anton Çehovi arriti në angazhimin vërtet unik dhe të mrekullueshëm të kapjes së tipareve thelbësore të një vendi dhe një epoke, Rusia në pjesën e fundit të shekullit XIX, duke i shndërruar ato në tiparet themelore të gjendjes njerëzore në çdo vend dhe në çdo kohë. Ja përse tregimet e tij, rrëfimet e tij skica të shkurtra dhe shpërthyese, teatri i i konsideruar si i lehtë (fillimet e shfaqjeve) dhe dramat e tij të shkëlqyera të pjekurisë (“Pulëbardha”, “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja” dhe “Kopshti i qershive”) formojnë një tërësi të plotë, ato na ofrojnë një pamje të saktë të një epoke dhe, së bashku, na bëjnë të kuptojmë se jeta njerëzore ka qenë gjithmonë e njëjtë dhe do të jetë gjithmonë e njëjtë, pavarësisht nga vendet, kontekstet shoqërore dhe arritjet, e vërtetë apo e supozuar, të përparimit dhe qytetërimit. […]
Po cili është “thelbi i Çehovit”? Është asgjëja, por jo ajo asgjëja e madhe metafizike që identifikohet në heshtjen e Zotit, në pesimizmin e Leopardit apo në terrorin e hapësirave të pafundme të Paskalit, por më tepër ajo asgjëja e përditshme ku jemi zhytur të gjithë, asgjëja e zhveshur dhe e përbaltur e të përditshmes që nuk shkon askund, pikëlimi i orëve dhe ditëve që formojnë një përjetësi gri në miniaturë: “Muzgje të zymtë vere, momenti dritëshkurtër i ditës, – thonë rreshtat e poezisë së Iosif Brodskit “Homazh për Çehovin”, – kur tërësia humbet dhjetë për qind të së mirës”. Nëse për Italo Svevon jeta është një “sëmundje e materies”, për Çehovin jeta është një burg pa kangjella të dukshme, një peizazh monoton dhe i shkretuar që të kujton imazhet e stepave të riprodhuara nga miku i tij, piktori Levitan, ose një vazhhdimësi e amullt dhe thuajse e hipnotizuar nga momente boshe që do të gjenden më vonë në disa romanca të Rahmaninovit. Kësisoj, nuk është për t’u habitur që bërthama kryesore e veprës së tij përmbahet në më pak çehovianen, “Ishulli i Sakalinit”, rrëfimi tronditës i udhëtimit që Çehovi ndërmori në 1890 për të studiuar kushtet e jetesës së të dëbarve në koloninë e të dënuarve deri në skajet ekstreme lindore të Rusisë./Konica.al
Me të drejtë Malcovati këshillon që të mos harrohet mjeku pranë shkrimtarit. Në fakt, në faqet kushtuar Sakalinit krijohet përshtypja e takimit të parë me mjekun, që i afrohet vuajtjeve të njerëzve të tjerë me një ndjesi të thellë devotshmërie. Sidoqoftë, ndërsa historia shtjellohet, na del në pah shkrimtari i madh, i cili arrin të na prezantojë një peizazh goditës “në skajin e botës”, ku “shpirti pushtohet nga ajo ndjenjë, që, ndoshta, Odise e ka provuar tashmë ndërsa lundronte nëpër dete të panjohura”, dhe klima “të bën të prekshëm për mendimet më të errëta”. Paralajmërohen jehona danteske, me grupin e të dënuarve në krahasim me një rreth të skëterrshëm, por njëherayi arrihet të kapen sugjerime të caktuara, që, më pas, do t’i gjejmë te Konradi te “Zemra të errësirës”, te Kafka apo në kapitujt afrikanë të “Udhëtim deri në fund të natës” nga Selin.
Mirëpo, Çehovi, si çdo shkrimtar i madh, i referohet vetëm vetvetes: personazhet e hasur gjatë udhëtimit do të bashkohen, rishpiken mirëfilli, në rrëfimet e mëdha të pjekurisë, madje edhe më tekstet të shumta teatrore. Gratë fshatare “dhimbshëm të menduara, paksa si vejane”, bëjnë që dikush të mendojë për tre motrat e dramës homonime, shiritat e gjatë të rërës që përhumben “në detin e zymtë dhe të lig”, do të shndërrohen në një fshat të shkretë që është sfondi i “Kopshtit të qershive” dhe “Pulëbardha”. Me pak fjalë, jeta si një burg i madh, që nuk dihet se ç’është: krijohen ide, ndërtohen iluzione, por në fund është vetëm kohë që kalon. Në fakt, asgjëja. Po ajo asgjë që Flaiano arrin ta shprehë mrekullisht në këto rreshta, me të vërtetë shumë çehoviane, shkruar në Paris në 1965: “Ankthi ynë për t’u arratisur nuk sugjerohet nga muret e zhveshura të burgut, por nga afresket që e zbukurojnë atë, nga kangjellat e shekullit XVI, nga tapiceritë dhe mermeret. Dhe mbi të gjitha nga fytyrat e kënaqura të të burgosurve të tjerë”. “Në Moskë! Në Moskë!! – vazhdojnë të përsërisin tre motrat, megjithëse ato nuk do të shkojnë kurrë atje. Sepse ndodh ajo çfarë ndodh, gjithçka shkon ashtu si duhet të shkojë, lind jeton vdes. Asgjë tjetër./Konica.al