MENU
klinika

Analiza

Cili është faktori kyç në heqjen e bllokadës bullgare ndaj RMV-së?

03.12.2020 - 11:52

Eurokomesari pë fqinjësi dhe zgjerim Oliver Varhelji ka qenë shumë i butë me Sofjen, por problemi është edhe në faktin që Partia Popullore Evropiane (EPP) nuk ka qenë mjaft e ashpër ndaj Kryeministrit bullgar Bojko Borisov”,  shkruan Politico, në analizën e punës së komisionarëve të BE-së për vitin që po lëmë pas. Në analizën e punës së KE-së u konstatua se, megjithatë, faktor kryesor në heqjen e bllokadës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është presidenca gjermane dhe jo Varhejli, njofton Portalb.mk.

Në pjesën kushtuar komisionerit të BE-së për Fqinjësi të Mirë dhe Zgjerim Oliver Varhelji, kjo media, për një nga momentet më të këqija të këtij viti veçon bllokadën e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të pranimit me BE-në.

“Bllokada e Bullgarisë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe mbi gjuhën dhe identitetin, i ka dhënë një goditje Komisionit, i cili synonte të fillonte negociatat deri në fund të vitit. Disa diplomatë akuzojnë Varheljin si shumë të butë ndaj Sofjes, por shumica thonë se problemi kryesor është se EPP nuk ishte aq e ashpër sa i përket Kryeministrit Bullgar Bojko Borisov. Varhelji është kritikuar se ka qenë më shumë në favor të interesave hungareze sesa interesave të BE-së si tërësi”, shkruan “Politico”.

Sidoqoftë, sipas Politico-s, faktori kryesor për heqjen e bllokadës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është presidenca gjermane, jo Varhelji.

Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel, për këtë çështje tha se po përballej me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, si dhe nuk dinte nëse do të ketë kohë që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës gjermane të BE-së, pasi Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të merren vesh,

“Derisa nuk ndodhë kjo, një pjesë e madhe e punës së tij është praktikisht e ngrirë”, shkruan “Politico” në analizën e punës së komisionerëve Evropian.

Përfundimisht, sipas Politicos, Varhejlit do të gjykohet nëse anëtarët e ardhshëm, përfshirë vendet tashmë në bisedime të tilla si Serbia dhe Mali i Zi, do të lëvizin më pranë BE-së nën vëzhgimin e tij.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 8 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi përfundimtar nëse do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por, duke parë deklaratat e krerëve të shteteve kyçe të BE-së, përfshirë këtu edhe të kancelares Merkel, duket se gjasat janë shumë të vogla që kjo të ndodhë deri në përfundimin e këtij viti.

Nëse Bullgaria nuk dorëzohet tani, gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila ka më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Sofja vazhdimisht paralajmëronte Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve, derisa më 17 nëntor ajo vendosi veton e shumë-paralajmëruar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa dha dritë të gjelbër për Shqipërinë. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ektaerina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkoi mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017, por një gjë e tillë nuk u përkrah nga antaret tjera të BE-së.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve./portalb