MENU
klinika

"Djali doli nga burgu ditën që ata u zhdukën"

Corriere della Sera shkruan për tragjedinë e çiftit nga Vlora!

17.12.2020 - 11:07

Mediat italiane konfirmojnë se trupat që u gjetën të copëtuar në 4 valixhe, të premten e kaluar, janë të çiftit nga Vlora, Shpëtim dhe Teuta Pasho, të cilët rezultonin të zhdukur prej 2 nëntorit 2015.

Italiania Corriere della Sera shkruan se autoritetet atje kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar djalin e çiftit, 33 vjeçarin Taulant Pasho. Ky i fundit kërkohet tashmë në të gjithë botën pasi është i vetmi person që pa prindërit, Shpëtim dhe Teuta Pasho, ditën që ata u zhdukën.

Më datë 2 nëntor 2015, çifti nga Vlora kishte shkuara para burgut Sollicciano për të përqafuar djalin që atë ditë do të lirohej, pasi kishte vuajtur 4 vjet dënimin për drogë. Por, prej asaj dite, Taulanti dhe dy prindërit e tij u zhdukën, derisa u gjetën pak ditë më parë, pas 5 vitesh, të copëtuar dhe të futur në valixhe.

Sipas hetuesve, Taulant Pasho mund të jetë çelësi për të zbuluar misterin e vdekjes së prindërve të tij që mbërritën nga Shqipëria për ta takuar dhe u zhdukën në të njëjtën ditë kur djali i tyre fitoi lirinë. Trupat e Shpëtim dhe Teuta Pashos, 62 dhe 60 vjeç, mund të kenë qëndruar në kanal për muaj, ndoshta edhe me vite.

Hetimet, të kryera nën komandën e nënkolonelit Carmine Rosciano, ndjekin disa drejtime. Dhe midis këtyre ekziston edhe pista e një hakmarrje ndaj Taulantit, një djali problematik, i cili mund të ketë pasur kontakte me krimin e organizuar. Sipas Saverio Fortunato, rektor i Institutit Italian të Kriminologjisë, copëtimi i trupave dhe futja e tyre në valixhe mund të jetë një mesazh drejtuar njerëzve të afërt me viktimat, familjes ose miqve. Gjë që mbetet akoma një enigmë.

Screenshot_1.jpg