Gjatë ditës prokuroria do të kërkojë burg për Nevaldo Hajdaraj, një polic i moshës 31-vjeçare që gjendet nën akuzë për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.
Së bashku me një varg veprimesh hetimore të zhvilluara gjatë këtyre orëve, prokurorët janë në pritje të zbërthimit të shtatë kamerave të sigurisë të administruara deri më tani në biznese dhe që shpresohet të përftohet e të zbardhet dinamika e ngjarjes.
Por grupi i hetimit së bashku me SHÇBA ka fiksuar në fashikull minutë pas minute se si reaguan dy policët që u vendosën në ndjekje të Klodian Rashës, 25 vjeç, i cili kishte dalë nga banesa në mesnatë dhe po qëndronte në rrugën kryesore rreth 30 metra larg policëve Nevaldo Hajdaraj dhe E. GJ, ky i fundit kthyer në një dëshmitar okular.
Rezulton se ekspertët kriminalistë që kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes pranë dyqanit Pit Stop ku dhe u qëllua me armë zjarri ndaj Klodian Rashës, janë sekuestruar dy gëzhoja. Njëri plumb besohet se qëlloi mbi dyqanin tip autoservis makinash, kurse tjetri qëlloi në kurriz Klodian Radhën pikërisht në krahun e djathtë dhe që sipas ekspertëve që shpjegojnë dinamikën besohet se plumbi i dytë përshkroi trupin dhe doli në organin jetësor të zemrës. Gjatë tre metrave Klodian Rasha që ishte në vrap e sipër ka lëvizur për inerci derisa është përplasur në hyrje të rrugicës, ku dhe u rrëzua përtokë.
Dëshmia e policit E. GJ, i cili gjendej në shërbim mesnatën e vrasjes hedh dritë mbi veprimet e secilit, ndonëse asnjëri prej tyre nuk kishte kamera trupi. Edhe në këtë pikë hetuesit nënvizojnë se policët dolën në shërbim pa një pajisje të tillë për aq sa jo të gjithë policëve të Shqiponjave u vendosej kjo kamera. Patrullimi i dy policëve në rrugën Dritan Hoxha nis në orën 1 të mesnatës dhe në afërsi të një lokali të quajtur Al Gusto ata ndalojnë një automjet.
“Në këtë moment kolegu Nevaldo pa një person të mbështetur në objektin rrethues pranë hotel D. dhe është drejtuar drejt këtij personi normalisht. Në momentin që ka parë lëvizjet e kolegut, personi i veshur me tuta dhe xhup të zi ka lëvizur në trotuar duke u drejtuar për nga Zogu i Zi. Kolegu i bëri thirrje duke i thënë o djali ndalo pak. Kolegu bëri thirrje armë dhe unë në këtë moment kam njoftuar sallën operative”.
I riu ka kaluar rrugën dhe është drejtuar nga rrugica për në drejtim të rrugës Theodor Ippen.
“Duke parë këtë lëvizje kam mbyllur makinën dhe kam vrapua drejt tij dhe i kam dalë para pranë lokal Oslo. “Gjatë ndjekjes kur ndodheshim pranë lokal Virxhiniaky personi më ka folur duke më thënë… largohu se të vrava… do të q. robt’ dhe në këtë moment kam dëgjuar një zhurmë si mbushje arme, por duke qenë errësirë nuk i kam parë sendet në dorën e tij”.
Efektivi i policisë me inicialet E. GJ shpjegon se në këtë moment ka mbushur armën dhe ka bërë thirrjen “ndal policia, mos bëj asnjë lëvizje ndalo se do qëlloj, por ai nuk i është bindur urdhrit”.
Sipas dinamikës së shpjeguar nga polici E. GJ, Klodiani ka vazhduar lëvizjen duke kapërcyer sërish karrexhatën dhe duke u afruar pranë Zonjës së Këshillit të Mirë duke vazhduar vrapin në drejtim të trotuarit.
“Në afërsi të dyqanin Pit Stop pashë kolegun Nevaldon që po vraponte dhe u përplas fizikisht me këtë person. Gjatë përleshjes së tyre unë kam qenë rreth 100 metra larg. Përplasja e tyre ndodhi në pak sekonda dhe në një moment kam parë kolegun të shtrirë për tokë dhe në këtë moment kam dëgjuar dy të shtëna arme.
Jam afruar tek kolegu e pyeta a ndjehej mirë, e ndihmova të ngrihej dhe së bashku u afruam tek personi, i cili ishte shtrirë dhe rënkoi. Për shkak të errësirës nuk kishte shenja gjaku dhe dyshuam se mos ishte rrëzuar dhe kishte përplasur kokën. Ambulanca me personin e dëmtuar u nisën drejt spitalit të traumës, ndërsa unë me kolegun me urdhër të eprorëve erdhëm në Drejtorinë Vendore”, rrëfen më tej efektivi.
POLICI QË QËLLOI
Por çfarë thotë 31-vjeçari, i cili qëlloi në drejtim të Klodian Rashës duke e vrarë atë? Sipas të dhënave të gazetës Si pas ndjekjes Nevaldo Hajdaraj pretendon se u kërcënua nga i riu që sipas tij kishte armë në dorë.
“Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim… MOS U AFRO SE DO TË QËLLOJ”
Polici Hajdaraj këmbëngul se njoftoi armë për t’i dhënë mundësi kolegut që të mbrohej dhe se sipas tij në afërsi të dyqanit pit stop kur i ka dalë nga mbrapa në një distancë prej 30 metra, i ka bërë thirrje të ndalojë se është policia.
“Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë pra ende pa u futur shtetasi në kthesë”.
Efektivi tregon se kur iu afruan Klodian Rashës së bashku me policin tjetër dëgjoi që ai rënkonte dhe se e kishte pyetur a kishte pyetur nëse kishte marrë ndonjë plumb, “por ai nuk mu përgjigj dhe kështu njoftova ambulancën”, mbyll deklaratën polici i arrestuar./ Gazeta SI