MENU
klinika

A do të ketë marrëveshje politike?

Diskutimet për Presidencën në Kosovë

06.12.2020 - 12:43

Partive parlamentare në Kosovë u kanë mbetur më pak se 5 muaj si afat kushtetues për plotësimin e vendit që ka lënë largimi i parakohshëm i presidentit Hashim Thaçi. Çështja rrezikon stabilitetin e qeverisë Hoti.

Analistët politikë në Kosovë e shohin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, nga 5 nëntori detyrën po e ushtron kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.

Partitë e koalicionit kanë paralajmëruar një takim për javën e ardhshme për këtë çështje, por ka që mendojnë se institucioni më i lartë i shtetit po shihet si mundësi për pazare politike.

Meta:  Është shumë e rëndësishme të mos ketë tregti e biznes ndërmjet partive politike për çështjen e presidentit. Pasi ai duhet të jetë unifikues dhe i pajtueshëm për të gjitha partitë politike, jo vetëm për partnerët e koalicionit. Duke marrë parasysh se mandati i tij është pesë vjeçar dhe si i tillë besojmë se presidenti duhet t’i përfaqësojë të gjitha partitë politike dhe gjitha qytetarët.

Në rrethanat politike kur AAK-ja e Ramush Haradinajt këmbëngul për presidencën ose do të dalë nga ekzekutivi, analisti Ramush Tahiri parashikon që ditët e qeverisë janë të numëruara.

Me ikjen e AAK-së, LDK-së në pushtet do i mungonin dy të tretat apo 80 votat e Kuvendit që i duhen për të caktuar presidentin e ri, me çfarëdo manovre politike.

Tahiri: Nëse arrihet marrëveshja që me u bashkëngjitë qeverisë PDK-ja, atëherë gjasat janë që AAK të del nga koalicioni. Çdo variant, ose që jep dorëheqje qeveria dhe caktohen 45 ditë zgjedhjet, ose e shpërndanë vetë vetën Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet mund të jetë në Kosovë, në shkurt, ose në fund të janarit.

Arton Demhasaj konsideron se shanset për rokadën politike varen vërtet nga qëndrimi i AAK-së dhe se diskutimet për përfshirjen e PDK-së në skenar kanë kohë që po mbahen.

Demhasaj: Për këtë është përmend vet emri i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, që ai të bëhet president, e dikush nga PDK të merr qeverinë. Ka pasur diskutime të tilla, këto janë zhvillu edhe sa kanë qenë ish presidenti Thaçi dhe Veseli këtu.

Ndërsa partitë kryesore kanë shprehur ambiciet për postin e Presidentit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kërkon me ngulm që çështja të adresohet nga qeveria e re që duhet të dalë nga zgjedhjet sa më të shpejta në Kosovë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘Studimi’ për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Mustafa: Gënjeshtrat kombëtare dhe ndërkombëtare s’kanë fund