MENU
klinika

Presidenti i FSHF

Duka: Finalja në “Air Albania” fillon që sot

04.12.2020 - 12:33

Një ditë pasi u zyrtarizua se stadiumi “Air Albania” do të presë finalen e Conference League në vitin 2022, presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë online, teksa iu është përgjigjur interesimit të shumë temave.

LOJË E QEVERISË ME KËRKESAT? – “Nuk dua ta mendoj kështu, rikthimi në fushë u bë me kontributin e Federatës, timin dhe të kryeministrit dhe të zgjidhim problemet si partner. Unë besoj se ka akoma ditë deri në 31 dhjetor për të zgjidhur kërkesat, që janë normale dhe janë minimum.

Kryeministri e ka pritur mirë. Fondi për sportin nuk është shifër që cënon buxhetin shqiptar, e cënon shumë më pak se të tjerat. Shenja deri sot nuk ka pasur, le të mendojmë që qeveria ka pasur halle”.

FINALJA NË “AIR ALBANIA” – “Fillon që nesër për organizimin, në finale shihet vetëm maja e ajsbergut. Në përgatitjen e dokumentacionit kemi pasur bashkëpunim me institucione private, shtetërore. Ministria e BrEndshme, e Turizmit, aeroporti, të gjithë na kanë mbështetur se ky nuk është vetëm një event për futbollin, por edhe për Shqipërinë.

Do flasim edhe në gjuhë ekonomike se sa fiton shteti nga futbolli dhe se sa mund të fitojë nëse krijohen kushtet e përshtatshme. Kam pasur premtimin e kryeministrit dhe kam besim se do ta bëjë, duhet të kishte sinjale”.

OBJEKTIVI I RADHËS – “Që prej ndërtimit të stadiumit ka qenë objektiv të sjellim një finale. Kemi mundësi të arrijmë shumë gjëra, kemi mundësi të shijojmë sërish Europianin dhe po ashtu edhe klubet. Që të kemi nivele më të mira nga klubet, duhet një shtysë që e ka në dorë qeveria”.

FUTBOLLI VENDAS – “Unë personalisht nuk kam qenë për bojkot dhe nuk jam as në të ardhmen. Duhet të sensibilizojmë të bëjnë detyrën e tyre. Loja e futbollit nuk kërkon lëmoshë, por të bëjnë detyrën për atë që i kemi zgjedhur.

Sporti, është kohë e vështirë, por e duam sportin dhe nuk është vetëm pasion, por është shëndet dhe është nga degët e ekonomisë që mund të japë te shteti. Ajo që kërkojmë nuk do të thotë se ne do na çojnë në nivel maksimal menjëherë, por do të sigurojnë një mbijetesë dhe një të ardhme më të mirë dhe në zhvillime të tjera”.

IRRITIMI I GREKËVE – “Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Greqi, nuk ka të drejtë ai që e ka thënë. Ne kemi qenë seriozë dhe kemi demonstruar se dimë ta bëjmë mirë, do ta bëjmë shkëlqyer. Ne jemi shqiptarë dhe kemi dëshirë kur na vijnë miq. Do ta shprehim se jemi të gëzuar kur na vijnë miq”.

TAPETI I STADIUMIT – “Klima në Shqipëri është e mirë dhe dëshira të kishim bar natyral, nuk rezultoi e duhur se stadiumi është i mbyllur. Fusha nuk është e mirë për kampionatin shqiptar, por as për finalen. Nga java tjetër do të nisin punimet, do të vendoset një impiant ndriçimi që zëvendëson dritën e diellit.

Do të vendoset edhe një impiant ventilimi. Nëse nuk do të ketë përmirësime deri në mars, do të kalojmë në hibrid. Kjo ka qenë e parashikuar për vitin e parë, nëse nuk ka përmirësim do provojmë, atëherë kalojmë në hibrid”.

PANDEMIA DHE TIFOZËT – “As që dua ta mendoj që në 2022 të vazhdojmë të jetojmë të kufizuar. Jemi të informuar që vaksina thuajse ka filluar përdorimin dhe vitin tjetër të rikthehemi në normalitet dhe nuk do të shkojë më shumë se marsi që stadiumet të kthehen me tifozë. Nuk jam unë që vendos, por kemi informacion si të gjithë që jemi të informuar në këto kohë.

Pandemia ka sjellë problem duke cënuar të ardhurat që ka futbolli shqiptar me mungesën e tifozëve, duke marrë parasysh nivelin e lartë që do të ishin në derbi. Vetëm shifrat e derbit janë të frikshme, kështu është cënuar direkt edhe nga mungesa e sponsorëve apo reklamave.

E gjithë ekonomia e ka ndjerë pandeminë, dhe futbolli financohet nga presidentë apo kompani që po kalojnë ditë të të vështira. Uroj që brezat që do të vijnë të mos e përjetojnë kurrë. Sa i përket Etrit Berishës, uroj të shërohet sa më shpejt.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN