MENU
klinika

Zbulimi rishtas

Egjiptianët e lashtë “mjeshtra” falsifikimi objektesh me vlerë

21.12.2020 - 17:47

       Me rënien e qytetërimeve kryesore në epokën e Bronzit, përreth Mesdheut Lindor, rreth vitit 1 200 para Krishtit, mungesa e argjendit solli për së pari edhe falsifikimin e një objekti me vlerë. Kjo, disa qindra vjet para se të shpikeshin monedhat./Konica.al

Falsifikimi si dukuri në kohët antike, u zbulua nga arkeologia Cilla Eshel, studente doktorature në Universitetin e Haifas, në Izrael. Ajo studioi përbërjen kimike të rreth 35 gjetjeve argjendi nga epoka e Bronzit, në zonat arkeologjike përreth Izraelit.

Në 8 vende që datojnë nga koha e “mbarimit të epokës së bronzit të vonë”, kur mbretëritë më të fuqishme të rajonit, patën shkatërrime shpesh të dhunshme – u gjetën sasi metalesh bakri përzier me veshje të jashtme prej argjendi, që të dukej si argjend i pastër.

Për shkak se pjesët e gjetura datojnë që nga koha kur zona, asokohe e njohur si Kanan, ishte nën sundimin e Egjiptit, në lashtësi, studiuesit mendojnë që falsifikimi të ketë filluar nga vetë sundimtarët egjiptianë, ndoshta për të fshehur faktin, se po u mbaronin furnizimet me argjend të pastër, metali që përdorej gjerësisht si monedhë.

Kanani, si zonë, nuk kishte argjend, ndaj metali i çmuar duhej të importohej. Por, tregtia e argjendit mori fund shumë shpejt, kur mbretëritë aty pranë filluan të shembeshin, kjo mes viteve 1200 – 1150 para Krishtit.

“Në atë kohë, pati mungesë argjendi, ndoshta nga rënia e epokës së Bronzit të Vonë. Falsifikimi vazhdoi edhe pasi egjiptianët u larguan nga Kanani, por ishin ata ndoshta, që e nisën atë”- tha Eshel, për “Livescience”.

Shumë kohë para se të shpikeshin monedhat, në mbretërinë e Lidisë, në Azinë e Vogël perëndimore, rreth shekullit VII  para Krishtit, argjendi ishte përdorur gjerësisht, si monedhë, në mbarë Mesdheun e lashtë.

Në fillim, metali i çmuar vlerësohej nga pesha ose nga copat e prera të argjendit, të shndërruara në bizhuteri, apo në lingota të plota, për sasi më të mëdha. Edhe ari, përdorej si mjet shkëmbimi, por ishte shumë më i rrallë dhe më i shtrenjtë në shumë vende.

Ndërsa argjendi, ishte më pak i kushtueshëm dhe shumë më i zakonshëm. Studimi nga Eshel dhe kolegët e saj, që do të botohet në numrin e janarit të  2021-it, për “Journal of Archaeological Science”, identifikoi dy prej grumbujve më të hershëm të argjendit: një nga Beit Shean, në Izraelin Verior dhe një tjetër nga Megido, një qytet kananit, i famshëm për disa beteja antike, që i dhanë emrin si “Armagedon” në Biblën e krishterë, për luftën mitike të fundit të botës.

Të dy grumbujt e gjetura të metaleve, datuan në shekullin XII para Krishtit, – shpjegon Eshel, kur Mbretëria e Re e Egjiptit, kishte nën sundim Kananin, prej gati 300 vjetësh. Grumbulli prej argjendi në Beit Shean, që peshon rreth 157 gramë, përmbante lingota me vetëm 40 për qind argjend, që ishte përzier me bakër dhe metale të tjera të lira.

Lingotat kishin sipërfaqen të lyer me argjend. Ndërkohë, metalet e gjetura në Megido, që peshonin rreth 98 gramë, përmbanin një sasi edhe më të vogël argjendi, rreth 20 për qind. Por, falsifikimi ishte maskuar duke shtuar arsenik në përzierje, që i jep bakrit shkëlqimin e argjendit.

Eshel, mendon se të dyja metodat e falsifikimit të argjendit, do të kenë dashur një punë dhe njohuri të konsiderueshme. “Në të dyja rastet, janë përdorur metoda shumë të sofistikuara, por ka të ngjarë që metoda me arsenik, të ketë qenë më e lehta” – thotë ajo.

Bizhutë amatore prej argjenti, copa, apo shufra argjendi u përdorën gjerësisht në të gjithë Mesdheun Lindor, si një formë e monedhës, shumë shekuj para shpikjes së monedhave. Eshel, dyshon se praktika e falsifikimit të argjendit përdorur si monedhë, u praktikuan dhe u përhapën më shumë, me vazhdimin e mungesës së argjendit në Kanan.

“Unë mendoj, se gjithçka mund të ketë nisur si falsifikim, që me kalimin e kohës u bë normë e pranuar. Nuk mendoj se mund të prodhohej një lloj aliazhi argjend-bakër-arsenik, për më shumë se 250 vjet dhe askush të mos e vinte re, pasi me kalimin e kohës, ai gërryhet dhe merr ngjyrë jeshile”- thekson Eshel.

Sipas studimit, gati 3 shekuj më vonë, ndërsa fuqitë e reja si neo-asirianët, persët dhe kolonitë greke nisën të merrnin kontrollin e rajonit, argjendi i papërpunuar, përdorur si monedhë zyrtare, rifitoi pastërtinë origjinale./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit