MENU
klinika

U vranë diku tjetër dhe u hodhën në kanal...

Ekzekutimi i dy vëllezërve, pistat ku po heton Policia

11.12.2020 - 09:36

Një ngjarje e rëndë është zbuluar ditën e djeshme në fshatin Zvirinë, në Maliq të Korçës, ku dy vëllezër nga Pogradeci u gjetën të ekzekutuar me armë zjarri.

Vëllezërit Andrea dhe Martin Olldashi, sipas informacioneve të Policisë ishin qëlluar për vdekje me armë zjarri, ndërsa ishin mbuluar me dhe në kanal. Sipas uniformave blu, kanë qenë reshjet e shiut ato që bënë të mundur që një krah i njërit prej viktimave të dilte në sipërfaqe dhe ngjarja të zbulohej nga banorët. Vëllezërit ishin denoncuar të zhdukur që prej datës 7 dhjetor. Ka qenë nëna e tyre që ka bërë denoncimin në Polici, por kjo e fundit nuk kishte mundur të zbulonte asgjë.

SI U ZBULUAN

Viktimat u zbuluan nga një punonjës i ujësjellësit në fshat, i cili kaloi rastësisht aty. Vendi ku janë gjetur dy trupat e pajetë të vëllezërve Andrea dhe Martin Olldashi ndodhej larg zonës së banuar, pak kilometra në distancë nga aksi nacional. Vendi ku u zbuluan trupat e pajetë, burimet thanë se quhet si “Kisha e vogël”.

Banorët e fshatit edhe pse u pyetën nga Policia kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna në zonë, ndërsa banesat e tyre ndodheshin në distancë të largët nga vendi ku u gjetën viktimat.

Sakaq pasi u transportuan në morgun e Korçës, burime nga ky i fundit bënë të ditur se grupi hetimor ka kërkuar që autopsia të bëhet nga ekspertë që do të vijnë nga Tirana.

Nga të dhënat e para mësohet se Policia është përqendruar në disa pista për shkak të së shkuarës kriminale të dy vëllezërve, për të cilët dyshohet se së fundmi ishin përfshirë edhe në trafikun e narkotikëve.

Por, emrat e dy viktimave nuk janë të panjohur për Policinë, pasi vëllezërit dyshohen si autorët që i vunë tritolin lokalit të ishfutbollistit Gjergj Leka, pasi i kishin kërkuar këtij të fundit një shumë të konsiderueshme parash, ndërsa janë dënuar edhe për vjedhje. Ngjarja e sipërcituar ka ndodhur në qershor të vitit 2012, ndërsa autorët janë liruar më pas nga Gjykata. Atë kohë, ish-futbollisti Leka është shprehur se tritoli në lokalin e tij ishte vënë në formë kërcënimi ndaj tij. Po ashtu, ai ka denoncuar edhe lirimin e tyre.

DY VËLLEZËRIT

Vëllezërit Olldashi që u gjetën të vrarë e të mbuluar me dhe mesditën e djeshme në fshatin Zvirinë në Maliq, dyshohet të jenë ekzekutuar më parë në një tjetër vend.

Më pas, ata janë transportuar e hedhur në kanal në fshatin Zvirinë, për t’u mbuluar më pas me dhe. Kjo sipas uniformave blu, është bërë që autorët të humbasin gjurmët e tyre nga ky krim. Ndërkohë, mësohet gjithashtu se herën e fundit vëllezërit janë parë në Pogradec.

Një nga pistat që Policia është përqendruar në hetimet për zbardhjen e ngjarjes është trafiku i lëndëve narkotike, ku dy vëllezërit dyshohet të jenë përfshirë gjatë kohëve të fundit. Por nuk përjashtohet nga hetimi as e kaluara e tyre, të cilët janë akuzuar për vepra të tjera penale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN