MENU
klinika

COVID-19

Epidemiologu: Kur vaksina të vijë në Shqipëri, shumica mund ta kenë kaluar sëmundjen

19.12.2020 - 10:06

“Respektoni masat mbrojtëse, pasi kur të vijë vaksina në Shqipëri, shumica e popullsisë do ta ketë kaluar sëmundjen”. Duke iu referuar zhvillimeve për sigurimin e vaksinës në vend, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se këtë dimër do ta kalojmë pa vaksinë. Pavarësisht disa dozave që mund të hyjnë, ato nuk do të japin efekte për mbarë popullatën.

“Sot, kemi nivelin më të lartë komunitar të përhapjes së virusit dhe për të mundur këtë na duhet një numër shumë i lartë vaksinash. Por, kujtoj, janë vaksinime që bëhen në dy doza me distancë kohore 3-4 javë nga njëra-tjetra.

Jemi më 18 dhjetor dhe e dimë se sa zgjat dimri, deri në fund të shkurtit. Në mars, fillojnë bien infeksionet respiratore, përfshi dhe Sars Cov-2. Kështu, vaksinimi masiv vjen pas këtij dimri. Këtë dimër të ruajmë masat”, u shpreh Alimehmeti për A2.

Epidemiologu thotë se autoritetet shëndetësore duhet të sigurojnë kushtet frigoriferike për ruajtjen e vaksinave anti-covid. Sa i përket aplikimit të saj, ai shprehet skeptik në lidhje me vaksinimin e fëmijëve dhe popullatës së shëndetshme:

“Vaksina, si çdo lloj parandalimi, është për popullatën në rrezik, për të moshuarit dhe për personat me shumë sëmundje. Absolutisht, nuk jam për vaksinimin e fëmijëve dhe personave të shëndetshëm”.
Referuar situatës aktuale dhe shifrave zyrtare, për Alimehmetin nuk nevojiten masa të tjera shtrënguese.

Nga fillimi i epidemisë, zyrtarisht janë prekur nga koronavirusi mbi 51 mijë persona, por me llogaritjet e epidemiologëve deri tani e kanë kaluar Covid-in mbi 500 mijë shqiptarë.