MENU
klinika

Formula 1

Ferrari sheh nga e ardhmja, Binotto: Leclerc lider!

19.12.2020 - 13:01

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë 70-vjecare të Formula 1 që Ferrari të renditej në vendin e gjashtë për konstruktorë, ndërsa një pilot I kokëkuqes në vendin e tetë.

Megjithatë, për vitin tjetër ka shpresa, të paktën sipas asaj që deklaron shefi i skuadrës Mattia Binotto. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, 51-vjeçari ka folur për planet për sezonin e ri, performancën e Charles Leclerc, por edhe pilotin që do t’i bashkohet skuadrës sezonin e ri Carlos Sainz.

“Presim një skuadër të përmirësuar ndjeshëm, por nuk e di deri ku mund të shkojmë, pasi duhet parë edhe ecuria e rivalëve. Këtë sezon disa skuadra treguan avantazhe që është e vështirë të rikuperohen brenda një viti, ndaj do të shohim ku do jemi.

Leclerc është një pilot shumë i zoti, i shpejtë dhe i talentuar. Këtë sezon ka mbështetur skuadrën si një lider i vërtetë dhe është rritur shumë si pilot. Ka qenë një vit i vështirtë për të gjithë, por tani është gati të përballojë sfida të reja. Sainz e kemi zgjedhur sepse është një pilot i kompletuar” – u shpreh Binotto.