MENU
klinika

"Nga burgjet e UDB-së tek ato të Enver Hoxhës"

Historia e panjohur e ish-Konsullit të Shqipërisë në Zvicër

13.12.2020 - 12:12

       Publikohet historia e panjohur e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952 filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës.

Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971 arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shëmbjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë për vëndet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës deri sa u nda nga jeta para dy ditësh, më datën 11 dhjetor 2020.

Kush ishte Myrteza Bajraktari?

Myrteza Bajraktari u lind më 15 prill 1933 në një familje atdhetare në Gostivar të Shqipërisë Lindore (siç me të drejtë ai vetë i emërton viset shqiptare të Maqedonisë perëndimore). Kreu shkollën fillore e 7-vjeçare në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tetovë e Shkup. Në vitin 1952 regjistrohet në Universitetin e Shkupit në degën e Filozofisë, si student me korrespondencë. Krahas studimit, punësohet në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që dilte në Shkup. Por ndërkohë shkruan një artikull kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi dhe hapjes së shkollave turke në territoret e banuara nga shqiptarët, dhe për këtë arsye e largojnë nga gazeta si të padëshiruar. Nis punën si mësues në Kumanovë, në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli”. –

Ndërkohë, në Shkup, bashkë me disa shokë, krijoi organizatën ilegale SHKËNDIJA, në thelb të programit të së cilës ishte ideja e Shqipërisë Etnike, ndërsa veprimtaria konkrete e saj u përqendrua në kundërvënien ndaj hapjes së shkollave turke dhe dëbimit me dhunë të shqiptarëve në Turqi. Në këtë grup ilegal bënin pjesë rreth 20 studentë dhe mësues, të shpërndarë në shtatë celula treshe. Treshja ishte e mbyllur dhe nuk kishte lidhje dhe njohje me celulat e tjera. Kryetar i të gjithë grupeve ishte Kreshnik Pollogu (M. Bajraktari), i cili mbante lidhje me secilin grup dhe drejtonte veprimtarinë e tyre.

Këto grupe vepronin në Gostivar, Prizren, Tetovë, Shkup, Zagreb, Dibër dhe Strugë. Këshilltari dhe udhëheqësi shpirtëror i Myrtezait ishte S. Lamçe. Mbas disa vitesh veprimtarie ilegale, këto grupe u zbërthyen. Treshen e parë e dekonspiroi Xhemal Pozharani gjatë hetuesisë në korrik të vitit 1952. Mbas tre muajsh arrestojnë Luan Sadikun, ndërsa Myrteza Bajraktari arrestohet më 12 janar të vitit 1953. Në seancën e parë të gjyqit të Myrtezait dhe të Luanit në qytetin e Shkupit, dekonspiruesi Xhemal Pozharani është paraqitur me uniformë ushtarake.

Në parantezë, është e njohur se veprimtaria e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë e Maqedoni ka qenë e gjerë dhe e pandërprerë. Krahas grupit ilegal SHKËNDIJA, vepronin dhe bashkësi të tjera ilegale, e deri tek grupimi më i madh, ORGANIZATA NACIONAL-DEMOKRATIKE SHQIPTARE, me kryetar Azem Moranën, i cili, pas zbulimit të këtij grupimi, u pushkatua së bashku me drejtues të tjerë të saj. Pjesa më e madhe e tyre kanë vuajtur në burgun e Nishit dhe atë të Idrizovës në Shkup. Mbeten në kujtesën e shqiptarëve të atyre viseve qëndrimet burrërore të anëtarëve të tyre gjatë hetuesisë dhe shprehja kurajoze në gjyqet që zhvilloheshin kundër tyre; për ta shkruhej në shtyp dhe angazhoheshin forca të shumta qeveritare për t’i zbuluar e dënuar, gjë që bënte bujë e jehonë në opinionin shqiptar, duke u konsideruar si një investim për çështjen kombëtare, investim që i dha frytet më vonë.

Për të krijuar një përfytyrim më të gjerë mbi rrethanat në të cilat kreu veprimtarinë Myrteza Bajraktari, është e nevojshme të jepen edhe indikacione në lidhje me atë mjedis. Kështu Preng Gruda në librin “Sa kam shpirt kam shpresë” (Eurorilindja, Tiranë 1997), në lidhje me këtë, kujton: “Serbët nuk lanë gja pa ba kundra shqiptarëve për me ua mërzitë jetën, për me i detyrue me i lëshue votrat e të parëve…. Në këto vjetët e fundit ua kanë hapë shkolla turqisht dhe përdhunisht i detyrojnë shqiptarët me i çue fëmijët, ashtu sikurse me detyrim po i dëbojnë me mija familjesh nga votrat e veta dhe i përcjellin për Turqi, ku i presin mjerimet e fushave të shkreta t’Anadollit.

Populli e arsimtarët kundërshtuan edhe demostruan për mos me i hjek fëmitë prej shkollave…. Të parët mësues të burgosun në Tetovë e Gostivar kundër shkollave turqisht qenë: Myrteza Bajraktari, Murat Isaku, Myzafer Tufa etj. Ata, para gjyqit, kanë qëndrue burrnisht tue e mbrojtë çështjen kombëtare. Prokurori pati kërkue dënim me vdekje… Ata nuk janë tundë aspak dhe me guxim kanë përgjegjë: – Na jemi të lumtun me vdek për atdhe tonë! – Serbët tronditen nga qëndrimi heroik i këtyne arsimtarëve gjatë torturash e para gjyqit. Gjykimi bani bujë të madhe në Jugosllavi e, sidomos, kudo në rrethet e shqiptarëve, e kështu dënimi me vdekje qe pezullue”.

Mbas goditjes që mori në Shqipërinë Lindore, organizata SHKËNDIJA, për të mos ndërprerë veprimtarinë e saj, u detyrua përkohësisht të zhvendosë qendrën e vet në Zagreb, ku udhëhiqej tashmë nga Naxhi Purde, një nga studentët më të shkëlqyer në Universitetin e Kroacisë. Me kalimin e kohës, veprimtaria e organizatës u intensifikua, veçanërisht për ndalimin e shpërnguljeve masive për në Turqi, duke përdorur të gjitha mënyrat e mundshme, madje edhe të pamundshme. Kjo solli që kjo veprimtari të mos zgjasë shumë kohë dhe të zbulohet në vitin 1956, e si rrjedhojë shumë anëtarë të saj morën dënime të rënda. Ndërmjet të dënuarve ishte edhe Mehdi Bajraktari (17 vjeç), vëllai i vogël i Myrtezait, që edhe ai, së bashku me të tjerët, përfundoi në burgun e Idrizovës.

Karakteri i kësaj organizate zbulohet qartas në formulën e betimit që çdo anëtar i ri ishte i obliguar ta shprehte me dorën e vendosur mbi një revolver, kuran e flamurin shqiptar: “Unë si shqiptar do të jem gati kurdoherë të luftoj për bashkimin e gjithë shqiptarëve, në veçanti të atyne që janë nën robni të sllavëve, në nji Shqipni të vërtetë; do t’i mbroj interesat e popullit shqiptar dhe do të kem parasysh luftën e përhershme kundër tradhtarëve të kombit”. Siç është shprehur në një nga kapitujt e librit edhe nga vetë autori, autori maqedon Dr. Tome Batkovski, docent në fakultetin e sigurimit e të mbrojtjes së përgjithshme të Shkupit, në disertacionin e botuar në vitin 1994: Loja shqiptaromadhe në Maqedoni, kur trajton: Bashkësitë ilegale – grupe të armatosura diversioniste dhe grupe ilegale të krijuara nga pozita e nacionalizmit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1945-1987, paraqet edhe veprimtarinë nacionaliste antimaqedone të organizatës SHKËNDIJA.

– SHKËNDIJA u zbulua dhe nismëtari e kryetari i saj Myrteza Bajraktari, u arrestua më 12 janar të vitit 1953, përpara dyerve të shkollës së Kumanovës, ku prej tre muajsh kryente detyrën e mësuesit, ende pa i mbushur të njëzetat. Në periudhën janar-tetor 1953, për nëntë muaj rrjesht, në hetuesinë serbo-maqedone në Kalanë e Shkupit, Myrtezai iu nënshtrua torturave çnjerëzore (deri në thyerje kockash, pagjumësi deri në humbje të vetëdijes, qëndrime në biruca pa dritë, me disa centimetra ujë, me tre-katër shkallë çimentoje ku mund të qëndroje në rast se zbuloje shpresa për të mbijetuar, goditje me objekte të forta deri në humbje të vetëdijes; ndërsa presionet dhe terrori psikologjik, cinizmi i egër, sharjet e ndyra etj. plotësonin torturat fizike).

Vetë Myrtezai shprehet se “Mendja ta do se këtë kala, simbol të qëndresës, shkjetë e kishin zgjedhur jo pa qëllim. Synimi i tyre ishte të përdhosnin krenarinë shqiptare dhe të thyenin qëndresën e tyre”. Myrtezain e gjymtuan fizikisht, duke i thyer parakrahun. E lanë katër muaj pa mjekuar, me qëllim që t’i gangrenizohej krahu. Por organizmi i ri bëri punën e vet: kocka u vetëngjit, veçse shtrembër, duke e lënë invalid për gjithë jetën. Nga viti 1953-1958, ai vuan pesë vjet heqje lirie në burgun famëkeq të Idrizovës.

Më 1960-1962 ridënohet edhe dy vjet të tjerë, të cilët i vuan po në Idrizovë. Për qëndrimin stoik të tij në këtë burg dëshmon në gjyqin ushtarak të zhvilluar në Tiranë në vitin 1970, ku u dënua Myrtezai, edhe bashkëvuajtësi Abdyrrahman Haxhihalili: “…Në burgun jugosllav të Idrizovës, me mbi 3.000 të burgosur – deklaron ai, – Myrtezai ka qenë simbol i qëndresës, që ka mbajtur moralisht të gjithë të burgosurit shqiptarë!”. Bashkëvuajtës të tjerë pohojnë se Myrtezai ka qenë nxitës i bojkotimit nga të burgosurit dhe i demaskimit të disa të burgosurve të cilët nuk përballonin dot vuajtjet e presionet e administratës së burgut dhe shndërroheshin në bashkëpunëtorë të tyre.

Sipas dëshmive të bashkëvuajtësve të Bajraktarit në Idrizovë, atje u bë legjendë grupi prej 40 të burgosurish “të rrezikshëm”, të cilët i kishin izoluar në katin e pestë të burgut. Në këtë grup, përveç shqiptarëve, bënin pjesë edhe anëtarë të organizatës maqedone VMRO, të cilët ishin kundër regjimit në fuqi. Këtij grupi i ndalohej çdo takim me të burgosurit e tjerë. Ata kishin të drejtë vetëm një herë në javë të bënin në oborr të 5 burgut shetitjen që quhej “mrtvashetnja” (shetitje e vdekur) me duar mbrapa dhe kokën ulur. Në rast se dikush nga të burgosurit e tjerë, gjatë hyrje-daljeve në oborr, drejtonte vështrimin ose i përshëndeste “të rrezikshmit”, dënohej me 14 ditë birucë. Këtij grupi i lejohej vetëm një takim me të afërmit prej pesë minutash, një herë në muaj.

Në këtë grup të “të rrezikshmëve” bënte pjesë edhe i riu gostivaras Myrteza Bajraktari. Kur flet për ato vite burgimi të egër, vetë Myrtezai kujton edhe një kthesë në botëkuptimin vetjak. Ndërsa më parë tek ai kishte ndikuar besimi fetar i prindërve, por edhe ateizmi i vëllait të madh (Xhemalit), jeta e vështirë e hetuesive dhe e burgimit për vite me radhë, u shoqërua edhe me ndryshime botëkuptimore, me kthesa të ndjeshme në botën shpirtërore dhe në bindje. “Për rrjedhojë, – shprehet ai – pa gjetur rrugëdalje tjetër, nisa t’i lutesha Zotit që të më jepte forcë dhe kthjellësi mendimi, vetëm që të mos i tradhëtoja shokët që ishin në shtatë grupe, të mos tradhëtoja idealin kombëtar dhe betimin e dhënë.

Kështu, dalëngadalë m’u kthye besimi tek Zoti. Ky besim më mbante gjallë, më jepte forcë, më frymëzonte për të përballuar në hetuesi torturat nga më çnjerëzoret, për nëntë muaj rresht. Kjo ka qenë dhe mbetet një nga kënaqësitë e mëdha të jetës time. Nuk është pak që, as në kushte tejet të rënda të natyrës sadiste, të mos nxjerrësh asnjë nga grupet e tua”. Edhe pse grupet dolën më vonë, pas tre vjetësh, nga burime të tjera. Në burgun e Idrizovës, Myrtezai gjeti atë elitë atdhetare shqiptare që, për fat, kishin shpëtuar nga plumbi në vitin e mbrapshtë 1945, pas ripushtimit të trojeve shqiptare nga sllavo-komunistët. Shumica dërmuese ishin me dënime të rënda, madje disa edhe me dënim të përjetshëm. Një grup tjetër më i madh ishin anëtarët e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, përveç atyre që ishin ekzekutuar në vitin 1946.

Më tej vinte organizata LIRIA nga Tetova, ku më i vjetri në moshë ishte Zija Roshi, mësues nga Gjirokastra, e të tjerë, të gjithë arsimtarë nga Tetova. Kështu që Myrtezai, përveç shokëve të tij, kishte një rreth ku mund të mësonte shumë, aq më tepër që nuk mund ta çonin në punë të detyrueshme për shkak të krahut. Për shtatë vjet Myrtezai i lexoi të gjithë librat me vlerë të bibliotekës së burgut (që ishin rreth 8.000 ekzemplarë), madje edhe ata që qarkullonin në mënyrë klandestine. – Në vitin 1962, pas daljes nga burgu, së bashku me mësuesin Bektesh Ismaili, kaluan kufirin dhe u hodhën në Shqipëri.

– Në vitet 1962-1966, pas pesë muaj hetuesie në Shijak, e bashkangjisin me 240 djem kosovarë që vuanin në Kampin e Internimit në Seman në afërsi të qytetit të Fierit. Aty e mbajnë për katër vjet e katër muaj. Ky kamp ishte më i keq edhe se burgu pasi, përveç tjerash, aty nuk kishte afat të përcaktuar lirimi. Në këtë kamp shoku i tij i kufirit kaloi në depresion dhe prej andej në çmendinë. – Në vitin 1966 u bë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë për kthimin e shtetasve jugosllavë që aktualisht gjindeshin nëpër kampe përqendrimi dhe që kërkonin me këmbëngulje të ktheheshin andej nga kishin ardhur. Brenda një muaji në kampin e Semanit mbetën vetëm 20 vetë që nuk kishin kërkuar të ktheheshin në Jugosllavi. Disave prej atyre që kishin arsimin përkatës, pa vonesë u doli e drejta e studimit.

Ky ishte një rast fatlum, nga të paktit në jetën e Myrtezait, pasi i doli e drejta për të studiuar në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve në kampin e Semanit, Myrtezai ka pasur rastin të njihej nga afër me këta djem të rinj që trajtoheshin si robër lufte. Shumica dërmuese vinin nga familjet më atdhetare të Kosovës, të Maqedonisë Shqiptare, me një dashuri të pakufishme për Shqipërinë e ëndërruar me vite. Ishin vërtetë të demoralizuar, por të vendosur deri në vetëmohim që, kur të kthehen në Kosovë, përsëri të luftojnë për çështjen e madhe të lirisë kombëtare. Ndërmjet këtyre ishin edhe dy të rinj nga Peja, që i kishin përjashtuar nga Shkolla Pedagogjike e Elbasanit pasi kishin kërkuar të ndiqnin një shkollë ushtarake! Këta ishin Ymer Kelmendi dhe Skënder Kabashi. I përmendim këto hollësi, pasi këta bëhen edhe shokë për kokë të Myrtezait. Në lidhje me absurdet e kampit të Semanit, vetë Myrtezai kujton: “Një ditë vjeshte me shi të vitit 1964, dy kapterët e kampit kishin sjellë katër studentë të përjashtuar nga Universiteti i Tiranës, që të katër pejanë. U them atyre: – Po këta pejanët qenkan megjithëmend kokëkrisur! Po ç’dreqin kërkonin! Mos vallë edhe këta kanë kërkuar shkollë ushtarake! – Jo, ore jo, këta edhe më keq – kishte thënë kapter Ganiu. – Kanë sharë Bajram Currin! – Është e pamundur, kosovari vetëm Bajram Beun nuk e shan! – u them unë. – Më digjo mua tinë, ata e kanë sharë, e kanë sharë ndyrë… Kanë thënë se ai na paskësh qenë një lolo, një budalla që e paskësh gënjyer ai prifti Fan Noli. Se ai i kishte premtuar se kur ta marrin pushtetin në Tiranë, atë do ta shpallte komandant të përgjithshëm të ushtrisë në Shqipëri. Por kish ndodhur e kundërta: e kishte nxjerrë në pension! – ngulmon kapter Ganiu…”.

Myrtezai u prezantua me studentët dhe bëri çmos që ata të mos humbisnin shpresën; u shoqërua me ta dhe dalëngadalë u bënë shokë për kokë. Këta ishin: Ahmet Sadiku, student i Histori-Gjeografisë; Namik Luçi, student i Inxhinierisë Kimike; Bajram Tigani, student i Bio-Kimisë; dhe Cen Stojku, student i Mjekësisë. Në lidhje me këtë grup shokësh, ai kujton: “Ahmet Sadiku dallohej në veçanti për humorin popullor shumë të këndshëm dhe për interpretimin e ëndrrave. Ishte djalë shumë i mirë dhe human, i ndershëm dhe gjithnjë i gatshëm të ndihmojë shokun. Një ditë, kur vuri re se Namikut i ishin bërë duart gjithë gjak nga puna e rëndë fizike në hapjen e kanaleve kulluese, ai mori përsipër që edhe normën e tij ta bënte vetë. Një mëngjes, sapo u bë zgjimi dhe ishte ende errët se qe dimër, fill pasi u vesh dhe rregulloi shtratin, Ahmeti na bëri zë të dëgjonim se kishte parë një ëndërr interesante. Dhe ne mbajtëm vesh me kujdes.

Ai kishte parë në qiell engjëj që vinin drejt nesh dhe dyert e Korpusit kryesor të Universitetit në Tiranë ishin hapur dhe na prisnin ne. – Në krye isha unë – tregon Ahmeti – dhe mbas vinit ju, në fund ishte Myrtezai me dy femra. Dhe unë i thashë se njëra është për mua! -. Ne qeshëm me të madhe. Dhe atëhere ai nxori përfundimin me shumë seriozitet: – Shokë, ja hodhëm, të gjithë do të kthehemi përsëri në Tiranë, dhe unë me Myrtezain do të bëhemi baxhanakë -. Namiku u hodh më atë anë: – Po ai maskarai, Ramë Buçolli, në ç’vrimë të hales do t’i fusë turinjtë atëhere?! -. Por ai i duhej Sigurimit enverist, kësaj “vrime të zezë” të universit shqiptar! Ai, më vonë, ka dalë në shumë gjyqe të sajuara, si dëshmitar i trilluar (edhe në gjyqin e Myrtezait, të Namikut, të Selim Kelmendit, të Istref Kelmendit, të Shefqet Kelmendit, etj.).

Por profecia e Ahmetit doli 100 përqind e saktë!… Ne të dy, me pak vonesë, me të vërtetë u bëmë baxhanakë dhe shokë në gëzime, por më tepër në ditë të zeza”. Gjatë kohës së qëndrimit në kampin e Semanit, ai pati fatin të gjente atje plot libra të autorëve të vjetër e të rinj, që i lexonte me shumë etje në gjuhën e vet amtare. Ndërkohë daja i vet në Lushnje, kur mori vesh se i nipi gjendej në kampin e Semanit, u trishtua fort dhe ndërkohë nuk e la të heqë keq ekonomikisht. Xha Nuriu, njeri i respektuar në qytetin e Lushnjes, nuk la derë pa trokitur për nipin e vet, duke treguar se sa shumë kishte vuajtur nëpër burgjet e shkjeve, pa mbushur as 20 vjeç. Si mund të dyshohej një njeri i cili në adoleshencën dhe rininë e vet kishte parë me sytë e tij kufomat e shqiptarëve të masakruar nga serbët që mbushnin shtratin e Vardarit, kufoma që dalloheshin nga kostumet e tyre kombëtare shqiptare?!

A mund të harrohen prej tij masakrat e brigadave maqedone ndaj shqiptarëve mbas Luftës së Dytë Botërore? – Në vitet 1966-1970 regjistrohet në fakultet dhe mbaron shkëlqyeshëm degën Gjuhë-Letërsi Shqipe të Universitetit të Tiranës, në moshën 33 vjeçare. Për diplomën e shkëlqyer, Myrtezain e emërojnë në Institutin e Histori-Gjuhësisë. Por, sapo merret vesh ky emërim nga organet e Sigurimit, menjëherë e transferojnë në rrethin e Beratit. Kundërshton transferimin dhe fundoset edhe kjo ëndërr e shkurtër intelektuale. – Me datë 12 nëntor 1970, Myrtezai arrestohet dhe nis hetuesia. Me datë 12 prill 1971 pason akt-akuza: “I pandehuri Myrteza Bajraktari, si element me pikëpamje nacionaliste dhe kundërshtar i sistemit socialist… shprehet se gjoja partia dhe pushteti popullor jo vetëm që emigracionin kosovar në Shqipëri e trajtojnë keq, por edhe nuk interesohen për të drejtat e popullit kosovar”. E tëra kjo do të thoshte se ai ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Fatura tjetër e komunistëve shqiptarë pason të parën: dhe 3 vjet të tjera burg, duke provuar burgun e Spaçit, të Vlores (Skrofotinë) dhe Ballshit. Si përfundim: 14 vjet burg, prej të cilëve shtatë në ish Jugosllavinë titiste dhe shtatë të tjerë në Shqipërinë enveriste. – Pasi lirohet nga burgu, i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit për të cilën ishte diplomuar shkëlqyeshëm. E lënë pesë vjet pa punë. Detyrohet të punojë punë të rënda. – Në korrik të vitit 1990, Myrtezai bëhet protagonist i një nisme politike ilegale. Nga Zvicra vjen Hasan Kadriu, me të atin Skënder Presheva (Kadriu), me të cilin Myrtezai kish qenë bashkëvuajtës në burgun e Idrizovës.

Së bashku formojnë grupin ilegal FRONTI ANTIKOMUNIST TANSHQIPTAR, prej 20 anëtarësh, grup i cili formulon dhe shpërndan një trakt në Tiranë, Qytetin Studenti, Shkodër, Lushnje, Kavajë etj. Trakti u bën thirrje gjithë shqiptarëve për “Bashkim Antikomunist, për Plurarizëm Politik e Demokraci”. Një kopje i dërgohet “për dijeni” edhe Ramiz Alisë. Kalon në gjendje gjysëm ilegale. Nuk është vështirë të vërehet se kemi të bëjmë me vazhdimësi të mëtejshme të veprimtarisë së grupit të dikurshëm ilegal SHKËNDIJA të Shkupit, tashmë në Tiranë. (Të shihet teksti i Traktit i botuar në pjesën e dytë të këtij libri, s dhe që shoqëron shkrimin mbi F.A.T.).

– Në tetor të vitit 1990 Myrtezai arrin të largohet në mënyrë legale, së bashku me familjen, për në Zvicër, si emigrant politik. Në vitin 1992 refuzon azilin politik, pasi e thërrasin në Tiranë. Së bashku me disa shokë nga diaspora, atë e presin në Rinas Kryesia e Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, me në krye zotni Osman Kazazin. Të nesërmen në mbrëmje, ata priten nga Presidenti Sali Berisha në Vlorë, në festën madhështore të 28 Nëntorit të vitit 1992. – Në janar të vitit 1993 Qeveria demokratike e emëron Konsull të Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane.

Angazhimi i tij atdhetar në Zvicër përbën një kapitull të veçantë të veprimtarisë së tij prej nacionalisti demokrat. Në shtator të vitit 1993, pikërisht ditën kur Myrtezai u pushua nga puna, vëllai i tij, Xhemal Bajraktari (kolonel në pension), u gjend i vrarë në apartamentin e tij në Beograd, me plumb në ballë. Vallë, një rastësi apo përkim i qëllimshëm?

Në kundërshti me këtë, Myrtezain e zgjedhin “Anëtar Nderi” të Shoqatës Kombëtare të ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Në motivacion shkruhej se: “Zotni Myrteza Bajraktarin e vlerësojmë si një figurë e ndritur e misionarit të lartë human dhe patriotik dhe për këtë meriton të jetë vëllai ynë i nderuar duke na përfaqësuar kurdoherë denjësisht në tërë botën. – Kryetari: Osman Kazazi”.

Në vitin 1998 Myrtezai emigron në Belgjikë, ku vazhdon veprimtarinë kombëtare. Si Kryetar Nderi i LIDHJES SHQIPTARE NË BOTË për vendet e Beneluksit, harton një peticion drejtuar Parlamentit Europian, në të cilin, midis të tjerash, thekson se: “Kosova shtet i pavarur dhe sovran është zgjidhje që premton një rajon ballkanik të qetë, stabël dhe të sigurt për një Europë pa luftëra e konflikte”. Peticioni dërgohet nga Brukseli në janar të vitit 2001.

Gjithashtu, po këtij Komsioni i drejtohet më pas për të drejtat e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë në Shqipëri, duke marrë dhe përgjigjen që po e botojmë më poshtë me faksimile. Gjatë këtyre viteve, edhe pse nën trysninë e sëmundjeve fizike, ai nuk rresht veprimtarinë, duke botuar edhe disa libra: “Një vështrim tjetër i historisë” (Tiranë 2011) dhe “Artikuj e dokumente” (Bruksel 2001), “Një jetë e burgosur – Sytki Hoxha” (Tiranë 2010), “Historia pa pranga” (Tiranë 2018)./Memorie.al

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!