MENU
klinika

Prodhimi i parë shqiptar

Hyn në fazë restaurimi “Tana”

21.12.2020 - 12:24

         Filmi i parë shqiptar, ku është realizuar edhe puthja e parë artistike, “Tana”, është tanimë në proces resaturimi. Prodhimi i vitit 1958, nga “Shqipëria Film” (më pas, Kinostudioja “Shqipëria e Re”), me regji nga Kristaq Dhamo, u shfaq premierë më 17 gusht të vitit 1958.

Skenari i filmit është shkruar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi.

Sikurse vlerëson AQSHF, restaurimi i filmit “Tana” po bëhet në bashkëpunim me laboratorët “Cinegrell”, “Zyrih” dhe “PostFactory”, “Berlin” dhe Ministrisë së Kulturës.

AQSHF, po ashtu bëri me dije lajmin, në ditëlindjen e aktores “Nderi i Kombit”, Tinka Kurti, e cila, në këtë film interpreton rolin e Tanës. Restaurimi i filmit të parë artistik shqiptar, të vitit 1958, vjen në vijim dhe të disa titujve të tjerë të kinematografisë shqiptare, që i janë nënshtruar procesit të restaurimit në bashkëpunim me të huajt.

Në një reagim të tij, kineasti Skënder Jaçe thotë se filmat që janë prodhime të viteve më parë të kinematografisë shqiptare kërkojnë vëmendje për restaurimin e tyre. “Praktika për restaurimin e pelikulës të fondit të artë të kinematografisë ka marrë zhvillim në të gjithë botën. Kështu filloi restaurimi i themeluesit të kinemasë, Çaplin. Vetë zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë e kërkon këtë standard. Kështu dhe me kinemanë shqiptare, e cila për shkak të kohës kërkon vëmendje të madhe në restaurimin e fondit filmik për imazhin dhe pistat e zërit”, shprehet kineasti Skënder Jaçe.

Disa nga prodhimet e ish-Kinostudios dekada më parë, që janë restauruar, përmendim dhe filmat “Nëntori i dytë” i vitit 1982, me regji nga Viktor Gjika, “Përrallë nga e kaluara” 1987 dhe “Përjetësi”, 1974, me regji nga Dhimitër Anagnosti, “Mimoza llastica” i vitit 1973, me regji nga Xhanfise Keko etj, pjesë të fondit filmik të AQSHF-së.

Aktorët e filmit

Me regji nga Kristaq Dhamo, muzika e filmit “Tana” është shkruar nga Çesk Zadeja.

Ngjarjet në filmin “Tana” zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj, si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.

Aktorë në filma janë Tinka Kurti -Tana, Naim Frashëri -Stefani, Pjetër Gjoka- gjyshi, Kadri Roshi -Lefter Dhosi, Andon Pano -kryetari i kooperativës, Thimi Filipi -sekretari i partisë, Marie Logoreci -nëna e Stefanit, Ilia Shyti -Lipja, për të vijuar dhe me të tjerë aktorë të njohur në role si Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli dhe Dhimitër Trajçe.

Kristaq Dhamo lindi më 20 prill 1933 në Fier. Mbaroi studimet në Institutin e Lartë kinematografik në Budapest, Hungari. Fillon të punojnë në Film Studio-“Shqipëria e Re”, ku realizohet filmi “Tana”, më 1958. Për shumë vite, ai ka qenë drejtor artistik pranë “Film Studio”. Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Filma të tjerë me regji të tij përmendim dhe “Botë e padukshme” (1987), “Vendimi” (1984), “Qortimet e vjeshtës” (1982), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Brazdat” (1973), “Mëngjeze lufte” (1971), “Miqësi revolucionare” (1967), “Ata nuk vdesin” (1966), “Vitet e para” (1965), “Detyrë e posaçme” (1963), etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aktorja e madhe tregon njohjen me shkrimtarin

Tinka Kurti: Si më zgjodhi Dritëroi, të luaja Nënë Pashakon

Rrëfehet Vladimir Prifti

Si shpëtoi nga gremina Ndriçim Xhepa


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit