MENU
klinika

"Sapo u futa në banesë, kur…"

I shpërthyen makinën me tritol, zbardhet dëshmia e pronarit

27.12.2020 - 12:21

Zbardhet dëshmia e shtetasit Nazmi Bandula, në makinën e të cilit një natë më parë shpërtheu një sasi e konsiderueshme e dyshuar si tritol. Shtetasi Nazmi Bandula ka deklaruar për Policinë e Shkodrës se nuk e kanë idenë se kush e ka vendosur tritolin, për shkak se nuk ka probleme apo konflikte me ndonjë person.
“Unë sapo isha futur në banesë dhe pak minuta më përpara kam qenë brenda oborrit.

Jam ngjitur në shtëpi dhe më pas ka shpërthyer. Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vendosur. Fouristrada ime ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë që në orët e paradites. Kam dalë në mëngjes, kam ngrënë diçka dhe më pas jam rikthyer në shtëpi dhe e kam lënë makinën aty brenda oborrit. Nga ai moment nuk e kam lëvizur më ndaj nuk e kam idenë se si mund të ketë ndodhur”, mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, por dëme të konsiderueshme materiale në mjetin tip fouristradë X5, si dhe banesën e Nazmi Bandulës.

Sipas burimeve nga vendngjarje, familja e Nazmi Bandulës ndodhej brenda në shtëpi në momentin kur ka shpërthyer sasia e dyshuar si tritol. Ndërkohë, dyshohet se mund të jenë të paktën rreth 300 gram lëndë eksplozive e vendosur te mjeti i tij që shpërtheu. Për policinë do të jetë e vështirë për ta zbardhur si ngjarje, për shkak se në rrugicën ku banon Nazmi Bandula, në lagjen “Partizani”, por edhe në shtëpinë e tij, nuk ka kamera sigurie për të vërejtur se cilët janë personat që mund të kenë lëvizur në atë rrugicë. Të vetmet kamera janë në rrugën kryesore në unazë, por nga aty nuk ka pamje të hyrjes së rrugicës.

Dyshimet e forta janë se sasia e dyshuar e tritolit mund të jetë vendosur shumë përpara se të shpërthente kur mjeti ka qenë jashtë oborrit të shtëpisë, për shkak se rrugica e banesës është e ngushtë, si dhe shtëpia ka mur të lartë rrethues. Policia po heton të gjithë lëvizjet e fundit të shtetasit Nazmi Bandula. Deri më tani nuk ka autor të dyshuar lidhur me këtë ngjarje të ndodhur, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Nazmi Bandula është një person me precedent penal, sepse është arrestuar në vitin 2012 pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilit i ka drejtuar armën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shpërthim eksplozivi në Shëngjin

I vihet tritol objektit në ndërtim të biznesmenit