MENU
klinika

Boks, peshat e rënda

Joshua mposht Pulev, konfirmohet kampion bote

13.12.2020 - 00:37

Boksieri britanik Anthony Joshua konfirmohet kampion bote në peshat e rënda, duke mposhtur bullgarin Kubrat Pulev. Në një duel me 12 raunde, Joshua e mbylli në raundin e nëntë.

Dy raundet e para ishin me pak goditje nga dy boksierët, me Joshua më ngacmues dhe ndonjë goditje më të pastër. Raundi i tretë ishte i gjithi i britanikut, teksa ndaj bullgarit jepen dy nokdaun. Vetëm gongu e shpëton Pulev.

Në të katërtin Joshua sikur e fali, ndërsa të pestin ishte sërish afër një tjetër nokdauni, por bullgari “mbijetoi”. I gjashti ishte disi i barabartë, por goditjet e britanikut ishin më të pastra. E pabesueshme se si reziston Pulev në të shtatin, që jep një goditje të bukur në fund të këtij raundi.

Në raundin e tetë ndihet lodhja e të dyve. Për të ardhur në raundin e nëntë, ku pas një seri goditjesh nga poshtë, Joshua e rrëzon sërish në tokë Pulev. Bullgari sa ngrihet, Joshua i jep vetëm një goditje dhe përfundon me nokaut. Ishte fitorja e 24-t në karrierë për Joshua (22 me nokaut), vetëm 1 humbje.