Në një kohë kur të gjitha shtetet po përpiqen të sigurojnë një vaksinë kundër Covid-19, Kina premton se do të dërgojë qindra miliona doza të vaksinave të koronavirusit në vendet që kanë kryer provat e fazës së fundit të vaksinave të saj. Me këtë përpjekje Kina mundohet të përmirësojë imazhin e saj, të dëmtuar pas masave që ajo mori pas fillimit të pandemisë.
Sipas analistëve Kina me diplomacinë e vaksinave po mundohet t’i japë Pekinit një tjetër mundësi për të përmirësuar pozicionin e vendit.
Kina aktualisht ka pesë kandidatë për vaksinën kundër COVID-19 katër kompani kanë arritur provat klinike të fazës 3, hapi i fundit dhe më i rëndësishëm i testimit para se të kërkohet miratimi i rregullatorit, të cilat po zhvillohen në 16 vende të ndryshme. Në shkëmbim, shumë prej vendeve pritëse u është premtuar qasje e hershme në vaksinat e suksesshme dhe në disa raste, teknologjia se si t’i prodhojë ato në vend.
Sinovac Biotech ka nënshkruar marrëveshje për të siguruar 46 milion doza të vaksinës Covid-19 në Brazil dhe 50 milion doza në Turqi. Ai gjithashtu do të furnizojë 40 milion doza të vaksinës në Indonezi.
CanSino Biologics, e cila zhvilloi një vaksinë të koronavirusit me një njësi kërkimore të ushtrisë kineze, do të shpërndajë 35 milion doza të vaksinës së saj në Meksikë, një nga pesë vendet pritëse të provave të tij.
China National Biotec Group (CNBG), e cila shpreson se do të arrijë të prodhojë 75 deri 100 milion doza vitin e ardhshëm, ka deklaruar se do të dhurojë një pjesë të madhe të tyre në Lindjen e mesme.
Fushata globale e vaksinave e Kinës është në kontrast të plotë me qasjen e administratës Trump “Amerika e Para”, e cila përqendrohet në vaksinimin e qytetarëve të saj para të tjerëve.
Në tetor, Kina u bashkua me një nismë globale të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të siguruar shpërndarjen e shpejtë dhe të drejtë të vaksinave Covid-19 në vendet e pasura dhe të varfra.
Projekti, i njohur si COVAX, është krijuar për të dekurajuar qeveritë nga grumbullimi i vaksinave të koronavirusit dhe në vend të kësaj të përqendrohet në vaksinimin e grupeve me rrezik të lartë në çdo vend., megjithatë një gjë e tillë nuk u mbështet nga SHBA. Që herët, udhëheqësit kinezë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se vaksinat e Kinës janë për t’u ndarë me të tjerët veçanërisht me botën në zhvillim.
Por ka shenja që diplomacia e vaksinave të Kinës nuk do të jetë gjithmonë një udhëtim i qetë. Sepse ka shumë shtete të cilët kanë shfaqur kundërshti. Pastaj ekziston çështja e efikasitetit, pasi asnjëra vaksinë nuk ka bërë publike shkallë efikasiteti.
Krahasuar me Pfizer dhe Moderna, vaksinat kineze kanë një avantazh thelbësor – ato nuk kërkojnë temperatura të ulëta për ruajtje, gjë që e bën të lehtë shpërndarjen veçanërisht në vendet në zhvillim që nuk kanë kapacitete të ftohjes.
Të dy vaksinat e Pfizer dhe Moderna përdorin pjesë të materialit gjenetik të ARN, për të nxitur reagimin e organizmit, teknologji kjo e përdorur për herë të parë, megjithatë është tejet e vështirë ruajtja e saj.
Vaksina e Moderna-s duhet të ruhet në -20 gradë Celsius (-4 gradë Fahrenheit), ose në temperatura të frigoriferit deri në 30 ditë ndërsa vaksina Pfizer duhet të ruhet në një temperaturë shumë të ftohtë prej -75˚C (-103 ˚F), dhe përdoret brenda pesë ditëve pasi të jetë futur në frigorifer në temperatura më të larta.
Ndërkohë, Sinopharm dhe Sinovac përdorin një qasje të modës së vjetër që është provuar prej kohësh efektive në vaksinat e tjera, për poliomelit dhe grip. Vaksinat e tyre të koronavirusit përdorin një pjesë të virusit për të nxitur trupin të zhvillojë imunitet dhe duhet të ruhen vetëm në temperatura standarde të frigoriferit prej 2˚C deri 8˚C (36˚F deri 46˚F). Vaksina e CanSino, e cila përdor një virus të zakonshëm të ftohjes të quajtur adenovirus 5, gjithashtu mund të mbahet në 2˚C deri 8˚C.
Temperaturat e kërkuara duhet të mirëmbahen gjatë gjithë transportit, duke filluar nga lënia e objektit të prodhimit te depozitat në aeroport dhe së fundmi te shpërndarja globale.