MENU
klinika

Protesta e djeshme për vrasjen e 25-vjeçarit

“Koha për rifillim”/ Reagojnë Meta dhe Basha: Sot më shumë se kurrë…

10.12.2020 - 11:14

Pas protestës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë ka reaguar Presidenti i Republikës, Ilir Meta si dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një postim në Facebook, Meta citon fillimisht Franklin Delano Roosevelt-in:

“Liri do të thotë epërsi e të drejtave të njeriut kudo. Mbështetja jonë shkon për ata, që luftojnë për të fituar ato të drejta dhe për t’i mbajtur ato. Forca jonë është uniteti i qëllimit të përbashkët. Për atë koncept të lartë nuk mund të ketë fund përveç fitores”.

Më tej vijon:

“Dita e të Drejtave të Njeriut, na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona. Megjithë sfidat, që po kalon shoqëria, për asnjë arsye, nuk duhet të lejojmë heqjen dorë nga ushtrimi i plotë i të drejtave themelore, që i garanton Kushtetuta, veçanërisht nga përkushtimi për të garantuar të drejtën e jetës për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdesin e domosdoshëm shëndetësor në këto momente të vështira. Populli shqiptar është zotuar në ligjin themeltar për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror. Të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm koncepte të shkruara në letër. Ato janë të drejta absolute, që kushdo, pa asnjë dallim, ka detyrimin t`i respektojë dhe mbrojë”.

Për ta përmbyllur me:

“Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar. KOHA PËR RESTART! Së bashku do t’ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë! 🇦🇱”

Ndërkohë kryedemokrati Basha ka publikuar një fotografi në Twitter, ku në njërën anë qëndrojnë efektivët në një kordon policor të ditës së djeshme, e ndërsa në anën tjetër, kryeministri Edi Rama brenda një dyqani.

“Qytetarët shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për njerëzit, jo për veten!”- shkruan Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Policia i thirri: O djali ndalo pak! Më pas…!"

Dinamika e vrasjes së 25-vjeçarit nga efektivi

Protesta për vrasjen e Klodian Rasha

Ambasada amerikane del me reagim, ja thirrja që bën