Kosova do ta humbasë mbështetësin e saj më të madh në Kongresin amerikan kur përfaqësuesi Eliot Engel të largohet në muajin janar, pas më shumë se tri dekadash në detyrë.
Engel, demokrat, ka përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989. Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.
Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë atë të famshëm në këtë shtet, të njohur nga rreth 115 vende të tjera.
Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.
Ai ka thënë se është pyetur nëse do që të jetë ambasador ose nënsekretar në administratën e Joe Bidenit dhe se po i shqyrton opsionet. Kjo ngre pyetjen nëse ai do të vazhdojë të ndikojë politikën e SHBA-së në Ballkan. /REL