MENU
klinika

Çfarë ndodhi në 1 vit?

Lajçakut po i përfundon mandati si emisar i dialogut

16.12.2020 - 11:00

Më shumë se tetë muaj kanë kaluar që kur ish-ministri i Punëve të Jashtme te Sllovakisë, Miroslav Lajçak, u caktua nga Bashkimi Evropian si emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçakut iu dha kjo detyrë në mirëbesim nga BE me mandat një-vjeçar, për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë dialogut, shkruan Periskopi.

Mbështetje e madhe iu dha edhe nga Gjermania e Franca, dy shtete kryesore në Bashkimin Evropian.

Ai erdhi me deklarata të fuqishme, se dialogu dy-palësh rifilloi pas dy vitesh bllokim, qysh nga 2018-a. Madje ai erdhi për vizitë në Kosovë dhe shkoi në Serbi, ku lëshoi deklaratën e bujshme se Kushtetuta e Kosovës mund të ndërrohej dhe se ajo nuk ishte libër i shenjtë.

Deri më tani, Kosova e Serbia deri diku kanë arritur të merren vesh për çështjen e të pagjeturve. Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që në fillim ka theksuar se Kosova ka hyrë në dialog vetëm me një kusht, që Serbia në fund ta pranojë dhe ta njohë Kosovën. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shumë herë, pa ngurruar fare, ka thënë se kjo gjë nuk mund të pranohet nga pala serbe, dhe se njohja nuk është as temë e diskutimeve në dialog.

E Lajçak, në takimin e fundit, të shtatin me radhë, të mbajtur në Bruksel, më 10 dhjetor, ku i pranishëm ishte koordinatori nacional, Skënder Hyseni, tha se dialogu do të vazhdojë vitin e ardhshëm.

Por, siç duket Lajçak ka hasur në vështirësi dhe e ka kuptuar këtë. Ai ka ndërruar diskursin para opinionit. Nuk thotë më se dialogu do të përfundojë së shpejti, siç shprehej në fillim të detyrës së tij.

“Nuk do të ketë afate artificiale”, “Rrugë e gjatë me shumë pengesa”, po konsiderohet të jetë dialogu për emisarin e posaçëm nga Sllovakia.

“Dialogu është në rrugë të mirë, por nuk është në një autostradë të shpejtë. Më shumë është një rrugëtim i gjatë me kthesa dhe erë””, tha Lajçak në debatin e fundit të organizuar nga Komisioni për politikë të jashtme, në Parlamentin Evropian.

Kështu, “Kthesa” e shumëpritur e dialogut e cila duhej të përfundonte “brenda pak muajsh” nuk u arrit. Lajçak së shpejti do të përfundojë mandatin e tij një-vjeçar si emisar, e rezultati është pak-a-shumë “asgjë”, edhe pas gati nëntë muajsh “punë”./Periskopi/