MENU
klinika

Kaos në aeroport!

Largime masive nga Londra pas masave të reja anti-Covid

20.12.2020 - 13:24

Mijëra njerëz u dyndën në aeroporte, stacionet e trenave, të trageteve të shtunën në Londër, pasi kryeministri Boris Johnson njoftoi se kryeqyteti britanik dhe një pjesë shumë e madhe e qyteteve angleze do të hynin në një regjim më të fortë masash kundër koronavirusit për festat e fundvitit.

Deklarata e kreut të qeverisë duket se shkaktoi panik te banorët e Londrës të cilët në turma të mëdha “pushtuan” stacionet e trenave dhe rrugët për t’u larguar.

Masat e reja që prezantoi kryeministri ditën e shtunë përfshinin masa drakoniane që nuk ishin parë që prej nisjes së pandemisë, ku përfshihen mbyllja e të gjithë dyqaneve dhe urdhri për të qëndruar në shtëpi.

Një arsye tjetër e largimit ishte se shumë londinezë kishin parashikuar udhëtime për festa pasi pritej një lehtësim i masave më 23 dhjetor, që tashmë nuk ndodhi.

Edhe në dyqane po përjetohet e njëjta situatë. Në bulevardet Regent dhe Oxford u formuan radhë të gjata, përpara fillimit të kufizimeve që do të zgjasin për dy javë duke filluar që nga nesër 21 dhjetor dhe ku dyqanet, palestrat sportive dhe floktoret do të jenë të mbyllura.

Në Londër, që është një prej qyteteve ku janë shënuar më shumë raste në vend, u vërejt se qytetarët vazhduan blerjet pavarësisht motit me shi dhe nuk zbatuan rregullin e distancës fizike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Varianti i ri i COVID-19 po përhapet shumë shpejt"

Britania e Madhe rikthen masat kufizuese për Krishtlindje