Ditën e djeshme Tirana u përfshi nga një protestë masive qytetare, pë shkak të ekzekutimit të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga ana e efektivit të policisë. Ndjeshmëria ka qenë tepër e lartë tek të gjithë njerëzit, të cilët janë solidarizuar me dhimbjen e familjarëve.
Ndërkohë, protestës i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat ndërkombëtare të cilat raportuan gjerësisht në lidhje me atë që ndodhi gjatë 5 orëve në rrugët e kryeqytetit shqiptar. Mediat greke raportojnë për kryengritje në Tiranë.
“Reuters” raporton se fillimisht policia raportoi për një pistoletë të gjetur pranë viktimës Klodian Rasha, por më vonë u tha sërish prej organeve shtetërore se arma nuk i përkiste atij. “DailyMail” bën një përmbledhje të të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri dhe thekson se i riu u vra sepse shkeli orën policore.
“25-vjeçari Klodian Rasha u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në Tiranë pasi nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për të ndaluar”.