MENU
klinika

Vaksina anti-COVID/ "Do na skadojnë të gjitha"

Mjeku ngre alarmin: Nuk kemi kapacitete për t’i ruajtur!

21.12.2020 - 08:04

Ndërkohë që të gjithë kanë kthyer sytë dhe presin datën e ardhjes së vaksinës në Shqipëri, dita-ditës shtohen pasiguritë e pikëpyetjet, nëse vendi ynë i ka kapacitetet për ta ruajtur atë.

Të parat doza, duke qenë me pikatore dhe të një lloji të ri, kërkojnë mekanizma të fortë sigurie që të jenë efikase apo atë që në gjuhën mjekësore quhet zinxhir ftohës. Pyetja shtrohet: A e ka Shqipëria një të tillë?!

Mjeku urolog, Artan Koni, ngre alarmin se edhe në rast se vaksinat e para do të mbërrijnë në spitalet tona, do të skadojnë të gjitha. Një firo të konsiderueshme pësojnë vaksinat e gripit që kërkojnë temperaturë më të lartë. Për atë anti-COVID, paramendohet gjendja.

“Vaksina e gripit ruhet në temperatura 2-8 gradë… E megjithatë, çdo vit, firon rreth 25 për qind e këtyre vaksinave ne rang botëror, si pasojë e problemeve të magazinimit apo transportimit nëpër pikat e vaksinimit. Vaksina anti-COVID ruhet në temperatura -70 gradë. Nëse supozojmë se nesër vijnë këto vaksina në Shqipëri, ato do të skadojnë të gjitha. Sepse për të ruajtur këtë vaksinë, na duhet zinxhiri i ftohjes…zinxhir, të cilin nuk e kemi. Përpara se të zëvendësojmë pemën e Vitit të Ri që u dogj gjatë protestave, na duhet të ngremë një zinxhir ftohës për temperatura shumë të ulëta”, shkruan Koni në një postim në rrjetet sociale, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë transparencë mbi hapat konkretë që ka ndërmend të marrë në këtë drejtim, pasi një vend i vogël dhe i varfër si Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë as edhe një të tillë, në momentin që do të prekë tokën shqiptare.

Ndërsa mjeku epidemiolog, Erion Dasho, ironizon përmes një statusi duke lënë të nënkuptuar që Shqipëria e ka më lehtë të dërgojë qytetarët t’i vaksinojë në Antarktidë, se sa të ngrejë zinxhirin ftohës këtu.

“Del strategjia e vaksinimit! Varianti A: blejmë vaksinën, ngremë zinxhirin ftohës dhe vaksinojmë shqiptarët. Afati: viti 2025! Varianti B: dërgojmë 2.8 milionë shqiptarë të vaksinohen në Antarktidë. Afati: viti 2022…” Një shtet i rajonit, jo shumë larg nesh, Serbia merr sot pesë mijë dozat e para të vaksinës, pasi ka qenë një ndër pesë vendet e para që ka nënshkruar marrëveshjen me “Pfizer”. Sakaq, gjithë çfarë dinë qytetarët shqiptarë është vizita e Kryeministrit në kompaninë në fjalë për të siguruar që vendi ynë të mos jetë në dritaren e fundit të shteteve ku do të shpërndahet vaksina. Sakaq, ekspertët botërorë të shëndetësisë kanë ngritur alarmin se skema globale për shpërndarje të vaksinës kundër koronavirusit në shtetet e varfra, përballet me rrezik “shumë të madh” të dështimit, duke lënë vendet me miliarda njerëz pa qasje në vaksina deri të paktën në vitin 2024.