MENU
klinika

Pas vrasjes së çiftit Pasho

“Mos e gjykoni vendin tonë”, shkrimtarja shqiptare letër të hapur në mediet italiane

23.12.2020 - 15:31

“Mos e gjykoni vendin tonë”. Është ky apeli që bën shkrimtarja shqiptare Denata Ndreca në letrën e saj të publikuar në gazetën prestigjioze “Corriere Della Sera”.

Ky shkrim vjen si një lloj peticioni dhe thirrje për të pavërtetat e shkruara së fundmi për popullin shqiptar, duke u nisur nga rasti i çiftit të bashkëshortëve trupat e të cilëve u gjetën në katër valixhe.

Bëhet fjalë për çiftin Pasho dhe ngjarja e rëndë është zbuluar në Firence ku edhe Denata jeton prej vitesh. Disa nga mediat italiane kanë abuzuar me shkrimet e tyre duke e cilësuar këtë ngjarje si pjesë të kulturës dhe traditave shqiptare.

Ndaj për këtë arsye Denata i ka drejtuar një letër kryetarit të bashkisë Nardela. Prej vitesh Denata është e angazhuar me çështjet e të drejtave të njeriut dhe po ashtu bashkëpunon me gazeta të ndryshme në Itali.

Në një lidhje skype për “Wake Up”, Denata tregoi shqetësimin e madh që i kanë krijuar komunitetit shqiptar në Itali këto lajme.

“Është një damkë për komunitetin tonë. Problemet e komunitetit tonë nuk mbarojnë kurrë, siç nuk mbarojnë problemet e njerëzit. Por kur i shtohen edhe gjëra të tjera, situata rëndohet. Të hidhet çdo gjë poshtë për komunitetin shqiptar nuk është e drejtë”, theksoi ndër të tjerat ajo.

Letra e Denata Ndrecës

Nuk është hera e parë që flitet për popullin shqiptar, por kur e shkruan media është e pa pranueshme. Jemi të varfër, por me tradita dhe kulturë të pasur. Këto fjalë nuk i kanë pëlqyer komunitetit tonë. Eshtë bërë një sinjalizim të gjitha gazetave të Toscanas që të mos flasin pa baza dhe të mos cënojnë të tjerët.

Nuk mund të lidhin “besën” me “mafian shqiptare”. Para se të flasësh për një vend duhet të informohesh mirë. Unë respektoj vendin ku linda si edhe vendin ku po jetoj. Firenze është një qytet i mrekullueshëm, por i vështirë kohët e fundit.

Komuniteti shqiptar njihet jo vetëm për drogën e krimin, por edhe për shumë njohuri, djersë e lodhje. Për këtë gjë mendoj se krimi i valixheve nuk duhet lidhur me traditën shqiptare. Kur flitet për një komb fjalët duhen matur mirë. “Besa” për shqiptarë është një fjalë e vjeter sa malet tona.