MENU
klinika

"Çështja e rezolutës, hap shumë i vonuar"

Nazarko: Kosova do të duhej t’i padisë në Dhomat e Specializuara komandantët serbë

17.12.2020 - 10:31

Analisti politik, Mentor Nazarko, ka thënë se Kosova shumë vite më parë do të duhej të votonte një rezolutë kundër krimeve të Serbisë.

Nazarko këto i tha pas thirrjes së Vjosa Osmanit, ushtrueses së detyrës së presidentes, drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, për të votuar rezolutën e Kosovës kundrejt Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Çështja e rezolutës mendoj se është një hap shumë i vonuar, Kosova do të duhej ta kishte bërë më shumë vite më herët. Sot është vonë dhe nuk mund të ketë ndikim një rezolutë, e cila miratohet në fillim nga Kosova dhe pastaj nga Shqipëria”.

Ai ka thënë se Kosova duhet të padisë komandantët e Serbisë në Dhomat e Specializuara të Hagës për krimet gjatë luftës së fundit.

“Politika kosovare me keqardhje duhet ta them se po zgjedh të ndërmarrë veprime që janë egocentrike, krijojnë vetëkënaqësi, por nuk prodhojnë efekte praktike. Kjo e para pasi kjo rezolutë duhej të ishte miratuar 15 vjet më parë. E dyta, Kosova në kaq vite sa është miratuar Gjykata Speciale, Dhomat e Specializuar, Kosova nuk është vënë në lëvizje që të padisë komandantët serbë apo politikanët serbë që e kanë jetësuar këtë gjenocid”.

“Pra, ky do të ishte një hap shumë më efektiv, shumë më i drejtë sesa kjo rezolutë nga dy parlamente që nuk do të kishte asnjë efekt praktik”.

“Paditja e komandantëve serb në Dhomat e Specializuara do të ishte një test për të provuar se kjo gjykatë nuk është monoetnike. Në një mënyrë të shfajësoheshin komandantët e UÇK dhe do të akuzohej Serbia me instrumente juridike dhe jo me instrumente parlamentare”, ka thënë Nazarko në Edicionin Special në Klan Kosova.