Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se gjatë protestës së sotme për vrasjen e Klodian Rashës, policia demonstroi më shumë forcë.
Nazarko theksoi se policia gjatë ditës së sotme, sa duket isihte e vendosur që të mbyllte demonstratën.
Më tej, Nazarko vlerësoi se palët politike kanë përdorur këtë 3-ditësh për të njohur më mirë njëra-tjetrën.
“Palët e kanë përdorur këtë periudhë 3 ditore për të njohur njëra-tjetrën. Policia demonstroi forcë sot. Kjo sepse ditën e parë protestuesit ishin në disa vende, por ditën e dytë dhe të tretë policia u vendos për të izoluar këtë protestë.
Ka përpjekje për të dekurajuar protestën. Nuk u bë protestë madhore. Ishte protestë e të rinjve. Policia donte që të mos zgjerohej protesta më tej. Ndërkombëtarët kërkuan që gjendja të qetësohej. Opozita duhet duartrokitur për të mos politizuar protestën”, tha Nazarko.
Po ashtu, Nazarko u shpreh se protestat e zhvilluara reflektojnë edhe një “sëmundje” të gjatë socio-politike.
“Kjo që po ndodh ngjan me protestën e jelek verdhëve. Edhe ata nuk kishin prijës, por edhe ajo demonstratë nuk kishte një finale.
Rama duhet të adresojë problemet. Protesta reflekton “sëmundje” të gjatë. Kjo është sëmundje social-politike. Ngelet gjithsesi një polici e lodhur në të gjitha aspektet”, vlerësoi Nazarko.