MENU
klinika

Zgjedhjet parlamentare

Nga sot qeveria nuk mund të japë më koncesione dhe kontrata PPP

25.12.2020 - 10:24

Duke filluar nga sot deri në datën e zgjedhjeve, Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësit e tyre, kryebashkiakët dhe zëvendësit e tyre apo edhe drejtuesit e dikastereve të rëndësishme duhet të raportojnë në KQZ para çdo aktiviteti.

Dje Komisioni Rregullator miratoi pas 4 ditësh diskutime aktin që kufizon qeverinë që të marrë vendim për rritje pensionesh, të alokojë fonde dhe t’i promovojë ato në publik për projekte të ndryshme, duke filluar nga sot deri në datën e zgjedhjeve.

“Veprimtari te ndaluara, janë edhe ato veprimtari qe perfshijne: shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4- mujore para datës së zgjedhjeve; shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, certifikatave të pronësisë, dhe çfarëdolloj titulli pronësie sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë; vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara ne nenin 142, te ligjit nr. 7850, date 29.7.1994 ‘Per Kodin Civil te Republikes se Shqiperise’; perdorimin e detyruar në fushatë zgjedhore të administratës shtetërore; ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, shtesat ne organikën e çdo institucioni publik e shtetëror apo emërime provizore gjatë fushatës zgjedhore, me përjashtim të rasteve të përligjura”, thuhet në projekt-aktin e miratuar dje me 5 vota pro dhe asnjë kundër në Komisionin Rregullator.

PPP-TË DHE KONCESIONET

Ndërsa veprimtaritë e mësipërme gjetën dakordësine e menjëhershme të të gjithë përfaqësuesve në Komisionin Rregullator, propozimi i Muharrem Çakajt, anëtarit të propozuar nga opozita për moslejimin e qeverisë që të japë koncesione apo kontrata me partneritet publik privat nga sot deri datën e zgjedhjeve hasi rezistencë.

“Pas pikës 3 të nenit 3, të shtohet neni 4 me përmbajtje: 4 muaj para zgjedhjeve deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave PPP dhe koncesioneve, për të cilat nuk është bërë njoftim se do të zhvillohen, nuk janë vazhdim i një koncesioni apo që nuk janë parashikuar në buxhetin zgjedhor”, propozoi Çakaj.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, në fjalën e tij në mbledhje tha se propozimi në aktin normativ është ekstraligjor dhe nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor.

“Propozimi në fjalë nuk gjen pasqyrim në Kod Zgjedhor. Është propozim ekstraligjor”, tha Salianji, por megjithatë ai tha se nuk e kundërshton propozimin dhe më pas të 5 anëtarët e Komisionit Rregullator votuan pro heqjes së të drejtës së qeverisë që të japë koncesione në këto 4 muaj deri datën e zgjedhjeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Financim miks, partitë të kontrollojnë njëra tjetrën'!

Zbardhet drafti i PD-së/ PS: Reformën mund ta votojmë në Prill!