MENU
klinika

“Që kur keni lindur ju kanë vaksinuar kundër..."

Panariti mesazh skeptikëve: Për këtë pandemi, zgjidhja e qëndrueshme është vaksina!

22.12.2020 - 17:27

Shefi i kabinetit në Presidencë Edmond Panariti ka reaguar në lidhje me frikën që ekziston tek shumë qytetarë për bërjen e vaksinës kundër COVID-19.

Në një postim në facebook, Panariti i drejtohet të gjithë skeptikëve duke iu rikujtuar se sapo një foshnjë vjen në jetë i bëhen vaksina kundër një sërë sëmundjesh vdekjeprurëse.

Kështu Panariti thekson se edhe për këtë pandemi, zgjidhja e qëndrueshme është vaksina, ndërsa shton se nuk është e detyrueshme bërja e saj dhe secili është i lirë të vendosë për vete.

Postimi i plotë:

Për të gjithë skeptikët dhe atyre që janë kundër vaksinave përfshire dhe atë të covid – 19!

Që kur jeni lindur dhe  madje pa ju pyetur fare që në ditët e para dhe në fazat e hershme të fëminisë, me miratimin e prindërve tuaj të mënçur dhe të përgjegjshëm ju kanë vaksinuar kundër një sërë sëmundjesh vdekjeprurëse, si lija, difteria, fruthi, poliomieliti, tetanozi etj..

Përndryshe, ja u them me bindje që një pjesë  e mirë juaja nuk do të ishte në jetë sot e kësaj dite.

Njerëzit para vaksinave, vdisnin në masë dhe veçanërisht mortaliteti foshnjor ishte i frikshëm..

Shihni krahun apo kofshën tuaj dhe me siguri atje do të gjeni gjurmët e vaksinimit jetëshpëtues tuajin.

Edhe për këtë pandemi, zgjidhja e qëndrueshme është vaksina.. Nuk është e detyrueshme bërja e saj , secili është i lirë të vendosë për vete…

Por shihni pas në kohë dhe mësoni nga historia.