Përballë fleksibilitetit mak simal të njohurive dhe tregjeve të reja të punës, studiuesit vlerësojnë se: “Arsimi është mbase pasuria më e madhe e epokës moderne dhe të mësuarit në internet ka siguruar një mundësi për shpërndarjen e tij në të gjithë popullsinë. Kjo paraqet një situatë plot potencial, e cila, nëse shfrytëzohet si duhet, mund të shtyjë të gjithë botën në një agim të ri zhvillimi dhe prosperiteti”.
Mund të ketë shumë qëndrime pro dhe kundër mësimit në distancë, por ajo që vlerësohet më shumë është kontributi transformues në rritjen e barazisë së mundësive. Disa qindra milionë studentë nga çdo vend i botës, sidomos nga vendet në zhvillim dhe vendet e varfra, nga familje të varfra, nga zonat më të largëta, pavarësisht nga gjinia, etnia dhe ngjyra, fitojnë akses të barabartë për t’u arsimuar gjatë gjithë jetës dhe për t’u bërë pjesë aktive e kërkesës dhe ofertës edhe globale për edukim, punë dhe biznes.
Arsimi i lartë është i kushtueshëm. Borxhet e studentëve në SHBA janë më të mëdha se borxhet e shtëpive, por në programet online mësimet merren nga të njëjtët profesorë, tarifat janë më të ulëta. Kostot jo të vogla për strehim eliminohen, kostot e transportit nga vendi i banimit për në universitetet eliminohen. Kostot e humbjeve të ardhurave nga puna eliminohen sepse ata nuk shkëputen nga puna 3 – 5 vite aq sa zgjasin diplomat bachelor dhe MBA. Të gjitha këto ulje kosto rritin numrin e studentëve dhe e bëjnë më pak të kushtueshëm arsimimin për studentët dhe familjet e tyre.
Sot, tregjet e punës janë në një ndryshim dinamik, të shpejtë dhe të larmishëm. Shpejtësia e të rejave shkencore bëhet e pakapshme në sistemin tradicional të mësimeve në klasë dhe shumë më e lehtë në kurset online. “Klasa me 100 mijë studentë” ishte leksioni i parë për inteligjencën artificiale i Profesorit Peter Norvig i universitetit të Stanford. Arsimi online është mundësi më e mirë për të reduktuar papunësinë strukturore, papunësinë ku punonjësit nuk kanë njohuritë e nevojshme për vendet e reja të punës. Një studim i Forumit Botërorë të Ekonomisë (WEF) theksonte se deri në vitin 2020 revolucioni informatik do të hapë rreth 122 milionë vende pune të reja, ndërsa automatizimi, robotizmi, do të shkurtojnë rreth 73 milionë vende pune. Krijohen rreth 49 milionë vende të reja pune në sektorët e IT-së.
Përgatitja për vendet e reja të punës është sfida më e vështirë e arsimit. Për këtë arsye, të gjitha universitetet në botë po ofrojnë deri edhe kurse masive të hapura online (MOOCsve) falas. Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në BE mund marrin programe online ose të studiojnë semestrin e fundit në një vend europian dhe kanë të drejtë për një Kartë Blu (VISA 18-mujore për të gjetur punë).
Rreth 90 për qind e studentëve sot mendojnë se të mësuarit në internet është e njëjtë ose më e mirë se përvoja tradicionale në klasë. Mësimi online mori një vëmendje të veçantë gjatë pandemisë, ku rreth 1.2 miliardë nxënës në 186 vende në botë humbën mundësinë e mësimit në klasë.
Aktualisht, 96% e të gjitha institucioneve të SHBA-së që ofrojnë kurse në internet thonë se ata presin një rritje të regjistrimit në internet në dekadën e ardhshme. Tregu i mësimit online në vitin 2019 ishte rreth 185 miliardë dhe deri në vitin 2025 parashikohet në 319 miliardë $. Rritja e të ardhurave nga mësimi online është një argument kundër atyre që e pengojnë mësimin online. Rritja e barazisë së mundësive në arsimin e lartë e rrit numrin e studentëve me ritme më të larta se ulja e tarifave, duke u krijuar universiteteve publike e private qëndrueshmëri financiare.
Përballë këtij trendi bashkëkohor, Shqipëria, për arsye të paarsyeshme, është ndoshta i vetmi vend që ndalon me ligj mësimin online dhe akoma më keq nuk u njeh studentëve shqiptarë diplomat online të fituara jashtë Shqipërisë, edhe pse këto universitete janë të licencuara nga vendet respektive. Kjo është një politike publike penalizuese, sepse u heq barazinë e mundësive disa mijëra studentëve nga zona të ndryshme të vendit dhe nga familje me të ardhura modeste.
Po kështu, edhe politika e punësimit në administratë publike, kryesisht me master shkencor, është një deformim i sistemit arsimore. Qeverisë nuk i duhen aq shumë punonjës me master shkencor, por edhe sistemi ynë universitar nuk mund të ofrojë diplomim cilësor për kaq shumë studente shkencorë. Masteri shkencor në krahasim me masterin profesional rrit kohën dhe kostot e diplomimit. Ndërsa qeveria jonë përzgjedh punonjës me “master shkencor”, IBM, një nga kompanitë më konkurruese në botë, në 2017 theksonte se 15 për qind e të punësuarve të saj nuk kanë një diplomë katërvjeçare. IBM, në vend që të përzgjedhë kandidatët që kanë studiuar në kolegj, preferon kandidatë që kanë përvojë praktike përmes një kurs kodimi ose një klase profesionale të lidhur me industrinë. Këtë politikë punësimi zbatojnë sot edhe 15 kompanitë më të mëdha në botë. Siguria për punë rritet nga fleksibiliteti i njohurive të përfituara në opsionet e pafundme online. Studimet tregojnë se kompanitë private preferojnë punonjës që vazhdojnë thellojnë njohuritë e tyre me kurset online.
Pika e tretë ku politikat publike për arsimin e lartë janë jo të qarta dhe joefektive është mungesa e investimeve publike për lehtësimin e dixhitalizmit në çdo pjesë të vendit, pikërisht në funksion të barazisë së mundësive për arsimim, punë dhe biznes jo vetëm në tregun kombëtar, por edhe global. Presidenti Barack Obama mbështeti me rreth 500 milionë dollarë krijimin e materialeve të kurseve të reja në internet.
Ekonomia e së nesërmes do të mbështetet në tri kolona kryesore: ekonomia e gjelbër, ekonomia e dijes dhe dixhitalizimi. Dixhitalizimi nënkupton akses të shpejtë, cilësor dhe me kosto sa më të vogël për këdo dhe kudo.
“Të mësuarit në internet është një nga risitë më ndryshuese të jetës në shekullin e 21-të”. Shqipëria po e pengon me ligj këtë risi transformuese dhe modernizuese të shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Kalimi nga ekonomia e bazuar te krahu i liri i punës drejt sektorëve që bazohen tek ekonomia e dijes imponon rritjen e fleksibilitetit të edukimit gjatë gjithë jetës. Çdo vonesë në krijimin e barazive të mundësive është një dështim që na lë përherë pas.