MENU
klinika

Mustafa kundër Kushtetueses

“Po e shkruan Kushtetutën sa herë i kërkohet mendim”

24.12.2020 - 09:46

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti duke u bazuar në votën e deputetit të dënuar Etem Arifi ka qenë i padrejtë dhe jo profesional.

Mustafa tha se Arifi ka votuar edhe Qeverinë Kurti dhe Kryesinë e Kuvendit, por askush nuk është marrë me këtë rast. Megjithatë Mustafa thotë se ata do ta respektojnë këtë vendim, ani pse si të tillë e quajnë të dëmshëm për vendin.

Madje ai thotë se Gjykata Kushtuese nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhje dhe se sa herë që po i kërkohet mendim ajo po shkruan pjesë të Kushtetutës që nuk e kanë nën kompetencë.

“Mendoj se është një koncentrim i paarsyeshëm i Gjykatës Kushtetuese nëse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ky nuk ka pasur mandat që nga fillimi sepse ka qenë i dënuar atëherë duhet mandati i tij të zbritet nga mandatet e 120 deputetëve dhe mbetet që qeveria prapë është votuar me shumicën e deputetëve dhe po ashtu nuk shoh asnjë arsye kushtetuese që Gjykata Kushtetuese t’i shpallë zgjedhjet. Nuk është në mandatin as në rolin e Gjykatës Kushtetuese që t’i shpallë zgjedhjet. Ajo mund të konstatojë në aktgjykim dobësitë ose lëshimet ligjore të cilat kanë ndodhur, por nuk është ajo që i shpallë zgjedhjet. Unë mendoj që nuk ka qenë as i drejtë dhe as profesional”.

Ai ka thënë se vendimet e tilla nuk i bëjnë mirë vendit sepse asnjë gjykatë në Kosovë nuk duhet të dalë dhe të sillet si organ suprem i shtetit të Kosovës. Mustafa ka thënë se nuk mundet Gjykata Kushtetuese në çdo rast të shkruaj pjesë të Kushtetutës ashtu siç po ndodh në Kosovë.

Mustafa e vlerëson të mirë qeverisjen e kryeministrit Hoti, duke shtuar se ka qeverisur në një periudhë të rëndë, sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe luftës kundër korrupsionit. Prandaj, sipas tij, Kosovës i nevojitet Qeveri e cila respekton edhe Kushtetutën edhe ligjet.

“Unë mendoj se Qeveria Hoti ka qeverisur mire. Por jam i bindur po ashtu që ka qeverisur në një periudhë krejtësisht të rëndë sepse ka pasur një koalicion të shumicës nganjëherë edhe në mungesë të shumicës veçmas prej periudhës që është arrestuar deputeti Arifi edhe më parë por ka punuar shumë sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe luftës kundër pandemisë. Ka dhënë rezultate shumë të mira në komunikim ndërkombëtar sepse është rikthyer komunikimi me ShBA-në. Mirëpo për gjashtë muaj është e pamundur që të bëhet ndonjë punë tepër e madhe e cila do të shënojë një epokë të qeverisë Hoti por ajo që kam parë zotëri Hoti si kryeministër ka punuar me ndërgjegje të plotë. Nuk është cilësuar si një kryeministër që ka bërë shkelje as të Qeverisë. Prandaj na nevojitet kësi Qeveri e cila respekton edhe Kushtetutat edhe ligjet e Kosovës”.

Mustafa thotë se para se të shkohet në zgjedhje duhet të miratohet buxheti dhe të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare.

“Mendoj që është rrezik shumë i madh. Nëse nuk miratohet buxheti dhe në këtë rast bëjë apel te të gjitha subjektet politike që ato të mobilizohen dhe ta thërrasin një seancë të Kuvendit para shpalljes së zgjedhjeve në mënyrë që buxheti të miratohet të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ndërlidhen edhe me buxhetin e ardhshëm. Dhe posa të kryhet kjo ne s’jemi fare kundër që të shkohet në zgjedhje që ushtruesja e detyrës së presidentes t’i shpallë ato dhe vendi të shkojë në zgjedhje”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN