Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane, në një rezolutë të miratuar sot, 7 dhjetor 2020, i bën thirrje qeverisë të bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar krizën e thellë kushtetuese dhe politike në Shqipëri.
Asambleja shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të gjetur zgjidhje për shqetësimet “legjitime dhe për të mbështetur aspiratat evropiane të qytetarëve shqiptarë”.
“Duke pranuar që Shqipëria po përballet me një krizë të thellë kushtetuese dhe politike”- grupimi i djathtë në Parlamentin Evropian “nxit partinë qeverisëse dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin çdo përpjekje për të kapërcyer menjëherë këtë krizë të thellë serioze”.
PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin e procesin të integrimit dhe vlerëson marrëveshjen e dakordësuar të 5 Qershorit.
Në rezolutë thuhet se Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.
Gjithashtu, kërkohet ndjekje penale për zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në blerjen e votës në kuadër të dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë.
Në këtë kontekst, rezoluta kërkon fuqimisht luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës.
Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias.